Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra ish-prokurorin Besnik Muçi, aktualisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur nga Presidenti Meta. Vendimi u njoftua këtë të enjte, ndërsa Muçi ishte i pranishëm në seancë.
“Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe ka shkelur besimin e publikut te drejtësia”, u shpreh KPA.
Në një prononcim për gazetarët, Muçi tha se “vendimi i Kolegjit të Posacem te Apelimit nuk ka efekt mbi mua. Në momentin që kam bërë betimin para presidentit si anetar i Gjykates Kushtetuese e kam humbur statusin e prokororit dhe kolegji nuk ka pasur më kompetencë të shqyrtojë dosjen time”.
Ai solli në vëmendje arsyet e ankimit. Arsye që sipas tij, nuk qëndrojnë.
“Shkaku i parë i ankimit është diferenca finance e katër viteve: 2003, 2004, 2005, 2006 në shumë 6 milion lekë të vjetra për katër vite, të llogaritura sipas KPK dhe të pranuara edhe nga KPA në kundërshtim të qartë me ligjin. Shkaku tjetër është mosdeklarimi i tokës bujqësore që bashkërritja ka marrë në pronësi në ‘91. Bashkëshortja është larguar nga trungu familjar, ligji shprehet qartë për këtë.
Një tjetër shkak ishte mos deklarimi i një banesë në 1985 nga familja e bashkëshortes, e ndërtuar nga prindërit e saj ku bashkëshortja ka 1-5 e truallit, vlera e secilës është 400 mijë lekë. KPA e mori në konsideratë edhe këtë shkak. Një shkak ishin huatë e marra nga familja ime dhe xhaxhi të cilat unë i provova tej çdo dyshimi.
Një tjetër shkak ishte se motra dhe bashkëshorti nuk justifikon një hua të marrë në vitin 2006. Unë provova me një dokument me vulë apostolike që bashkëshorti i motrës ka pasur të ardhura të mjaftueshme dhe ka paguar taksa në Britani”, tha ai.
Lidhur se ankimin se ka kontakte për papërshtatshme, Muçi tha se bëhet fjalë për një person nga zona e tij, i cili është i dënuar për moskallëzim krimi. “Më thoni, ku e shkela unë besimin te publiku”, deklaroi ai.
***
Seancën e shkuar palët dhanë konkluzionet përfundimtare. Komisioneri Publik nuk u tërheq nga kërkesa e tij, pas vendimit të KPK-së për largimin e Muçit nga sistemi, ndërsa vetë ish-prokurori ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të KPK-së dhe konfirmimin në detyrë. Sipas Komisionerit, subjekti ndodhet në kushtet e mosdeklarimit të saktë të pasurisë, pasi nuk e justifikoi plotësisht atë. Ndërkohë vetë Muçi ka kërkuar konfirmimin në detyrë, duke i cilësuar të pasakta konstatimet e Komisionerit.