Ter Stegen dhe Claudio Bravo kërkojnë vendin e titullarit. Shpesh jemi mësuar që portieri i dytë të mos jetë dhe aq i rëndësishëm për një skuadër, por në rastin e Barcelonës ky fakt nuk vlen, pasi të dy gardianët e portës blaugrana janë të një niveli të kënaqshëm. Si kiliani Bravo ashtu dhe gjermani Ter Stegen duan vendin e titullarit, në rast të kundërt ata kërcënojnë drejtuesit e klubit se të paktën njëri prej tyre do të largohet. I pari që iu drejtua zyrave të drejtuesve të klubit katalanas ishte Ter Stegen së bashku me menaxherin e tij. 24-vjeçari i ka bërë të qartë kampionëve të Spanjës se atyre u është paraqitur një ofertë nga skuadra e Man.City dhe se gjermani është i gatshëm ta pranojë atë në rast se dhe për sezonin e ri të La Ligas ai do të jetë si preferencë e dytë e trajnerit Luis Enrique.
E njëjta situatë vlen dhe për kilianin Claudio Bravo, i cili pak më herët ka zhvilluar një takim me drejtuesit e klubit. Dëshira është po e njëjta me atë të kolegut të tij, të luajë sa më shumë takime të jetë e mundur. Presidenca katalanase duket se ndodhet përballë një situate të vështirë dhe e vetmja zgjidhje është të heqë dorë nga njëri prej tyre. Në rastin e Bravos ekipet që janë të interesuara për të duhet të paguajnë 40 milionë euro, ndërsa në rastin e gjermanit Ter Stegen shuma arrin deri në 80 milionë.
Ndërkohë Barcelona është vënë në gjurmët e gjermanit Mario Gomez. E ardhmja e Mario Gomez është larg Fiorentinës. Sulmuesi gjerman me të gjitha mundësitë do të largohet këtë merkato nga klubi vjollcë dhe destinacioni i tij i ri mund të jetë Spanja ose Gjermania. Agjenti i 31-vjeçarit, Metin Albayrak, zbuloi se është kontaktuar nga Barcelona dhe Borussia Dortmund, që kërkojnë shërbimet e Gomez. Përsa i përket interesit të West Ham, Albayrak tha se ka biseduar me trajnerin Bilic, i cili ka hedhur poshtë zërat se dëshiron të firmosë me gjermanin.
Nga ana tjetër, Valencia dëshiron rikthimin e Raul Albiol në “Mestalla”. Lajmin e konfirmoi drejtori Sportiv i spanjollëve, Jesus Garcia Pitarch. Mbrojtësi në vitin 2013 u transferua te Napoli dhe deri më tani ka zhvilluar 102 ndeshje me fanellën e të kaltërve. Pitarch deklaroi se do të presin deri në ditën e fundit të merkatos së verës për të marrë sërish 30-vjeçarin. Drejtuesi i klubit spanjoll shtoi më tej se edhe vetë lojtari së bashku me familjen e tij kërkon të transferohet te Valencia.