Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, Besnik Muçi duket se nuk do të njohë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e tij nga detyra. Si çdo ditë tjetër, edhe sot ai është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese në cilësinë e anëtarit të kësaj gjykate.
Të enjten, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, i dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Vendimi u shpall në orën 11:00 nga kryetari i trupit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo: “Shkarkohet nga detyra subjekti i rivlerësimit Besnik Muçi, prokuror në procesin e rivlerësimit, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në momentin e shpalljes së vendimit. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”.
Trupi gjykues çmoi se subjekti i rivlerësimit “është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë”. “Nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë. Ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij dhe personave të lidhur me të”, u shpreh KPA.
Por një vendim i tillë konsiderohet nul nga Muçi, i cili tha se në momentin që ka bërë betimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese ky vendim nuk ka më efekt.
“Vendimi nuk afekton funksionin tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, sot nuk mund ti shtrijë kompetencat e veta mbi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur sipas parashikimeve kushtetuese të ndryshuara në 2016″.