Arlind Ajetit i mjaftuan vetëm pak javë që të fitojë besimin e stafit teknik të Torinos, me në krye trajnerin Mihajloviç dhe të fitojë zemrën e tifozëve. Arsyeja është personaliteti i fortë në fushë dhe loja me karakter, falë së cilave mbrojtësi shqiptar spikati edhe në miqësoren përballë gjermanëve të Ingolstadt. Më pak se një muaj më parë, kur u bë goditja e parë e “granata”-ve në merkaton e verës, Arlind Ajeti që në Serinë A kishte lënë përshtypje tejet të mira me Frosinonen, u paraqit te Torino pa bujë. Me vëmendjen të gjithën të përqendruar tek manovrat për Ljajic dhe Iago, kuqeziu ndërpreu pushimet dhe u paraqit në qendrën sportive të Sisport për të nisur përgatitjet.
Një sakrificë që iu shpërblye, pas lodhjes në finalet e Kampionatit Europian. 22-vjeçari u ambientua shumë shpejt me skuadrën e re dhe gjatë fazës përgatitore është shfaqur në gjendje optimale fizike. Tashmë, Ajeti synon të bindë përfundimisht teknikun Mihajloviç, se e meriton fanellën e titullarit. Drejtuesi i stolit ishte mes atyre që e vlerësuan paraqitjen e mbrojtësit ndaj Ingolstadt-it, ku kuqeziu ishte ndër më të mirët në fushë.
Ndërhyrje të ashpra, por të pastra, bën që Ajeti të fitonte duartrokitjet e tifozëve të pranishëm. Me paraqitjen e tij, djaloshi i lindur në Bazel u shfaq edhe si lider, ku orientonte shokët e repartit difensiv dhe përcaktonte rritmin e lojës. Arlind Ajeti është i vendosur, ka ambicie dhe dëshirë të jetë protagonist te Torino gjatë sezonit të ri në Serinë A. Karakteristika që u vlerësuan nga tifozët dhe jo vetëm.