Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për “Masat shtesë të sigurisë publike” që ka të bëjë me mbikëqyrjen me kamera.
Kreu i shtetit shpjegon se ligji i Ministrisë së Brendshme për vendosjen e kamerave në rrugë dhe në biznese përbën cenim të së drejtës familjare dhe të privatësisë. Presidenti arsyeton se ky ligj bie ndesh me direktivën për të dhënat personale.
Sipas Presidentit ligji i Ministrisë së Brendshme për vendosjen e kamerave në rrugë dhe në biznese përbën cenim të së drejtës familjare dhe të privatësisë. Presidenti arsyeton se ky ligj bie ndesh me direktivën për të dhënat personale
“Në seancën plenare të datës 10 mars 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 19/2016 ‘Për masat shtesë të sigurisë publike’. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 16 mars 2016. Ky ligj ka për qëllim marrjen e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, duke siguruar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës dhe garantimin e sigurisë publike. Ligji në tërësinë e tij synon marrjen e të dhënave private për qytetarët, kryesisht për ata që ushtrojnë aktivitet privat biznesi, por edhe për qytetarët në tërësi, për çdo aktivitet të tyre, i cili përfshin lëvizjet, takimet, vendndodhjet, kohëqëndrimet, bisedat, veprimet (përfshirë edhe ato intime), etj. Ky informacion sipas ligjit të miratuar synon të arrihet nëpërmjet regjistrimit me kamera në ambientet e banimit dhe qendrat private të bizneseve të ndryshme. Sipas këtij ligji Policia e Shtetit është ajo që bën analizën e vlerësimit të rrezikut dhe njofton subjektet për gjendjen e rrezikut dhe nivelin e masave shtesë të sigurisë që duhet të marrin, duke përfshirë kryesisht sistemin e kamerave CCTV, informacion i cili do të vihet në dispozicion të Policisë së Shtetit sipas kërkesës” thekson Presidenti.
“Rregullimet ligjore në lidhje me masat shtesë të sigurisë, subjekteve që do i zbatojnë dhe përpunimi i të dhënave nuk sigurojnë respektimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve referuar nenit 35 të Kushtetutës dhe nenit 8/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), duke vënë në dyshim se gjatë zbatimit të ligjit mund të krijohen premisa të cenimit të parimit të ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit referuar nenit 8/2, 17 të KEDNJ-së.
Presidenti i Republikës është plotësisht i angazhuar në zbatimin e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në plotësimin e detyrimeve referuar nenit 79 të MSA-së në drejtim të mbrojtjes të jetës private dhe familjare” thuhet në reagimin e Presidentit.
Cënohen të dhënat personale
Përmes këtij ligji, duke përcaktuar masa shtesë të sigurisë, përmes vendosjes së kamerave të sigurisë, të cilat përfshijnë sheshe të hapura, parqe, kënde lojërash, mjedise të hapura apo të mbyllura publike, mjedise të punës ku ushtrohet një biznes privat, mjedise të hapura dhe të mbyllura për fëmijë cenohet e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga neni 35 të Kushtetutës së RSH-së dhe neni 8/1 i KEDNJ-së.
Në rastin konkret, Ligji 19/2016 përcakton ndër kategoritë që duhet të marrin masa shtesë, ku përfshihen: ambientet e biznesit, mjediset e hapura dhe të mbyllura për fëmijë referuar nenit 4 apo edhe ambientet e hapura dhe mbyllura që janë në pronësi/administrim të subjekteve publike referuar nenit 5 të ligjit. Masat shtesë të sigurisë të vendosura referuar nenit 8 të ligjit i referohen kryesisht vendosjes së sistemit të kamerave të sigurisë CCTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe. Kjo do të thotë që menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të ndërhyhet në jetën private dhe familjare të shtetasve shqiptarë në të gjitha mjediset publike apo private, në qendrën e punës, ambientet e pallatit ku banojnë, në ambiente publike të hapura apo të mbyllura, në shkolla dhe parqe. Pra, është e qartë se përmes këtyre masave, shteti do të ndërhyjë në jetën private dhe familjare duke prekur subjektet dhe interesat, të cilët janë të mbrojtur nga neni 8/1 i KEDNJ-së dhe neni 35 i Kushtetutës së RSH-së.
Referuar Komisionit të Ligjeve dhe opinionit të dhënë nga komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë hedhur dyshime në lidhje me respektimin e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve nga aplikimi i masave të parashikuara.
Ministri i Brendshëm i merr kompetencat Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave
Ligji i miratuar bie ndesh me Direktivën 95/46 EC dhe dispozitat e Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’, i ndryshuar.
Ligji krijon mundësinë që përpunimi i të dhënave personale, i cili do të kryhet nga një prej sistemeve më të rëndësishëm, atë të video survejimit do të monitorohet nga ana e Policisë së Shtetit, pasi më parë ajo të ketë bërë vlerësimin e riskut dhe të ketë vlerësuar se ku do të vendosen kamerat, ndërkohë që kjo është kompetencë e Autoritetit të Pavarur të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ligji nuk konsideron se të gjithë palët e përfshira në kuptim të ligjit janë ‘kontrollues’ dhe si të tillë ata zgjedhin në mënyrë të pavarur mjetin dhe mënyrat me të cilat përpunojnë të dhënat personale. Në këtë mënyrë këto subjekte janë të detyruara të zbatojnë Ligjin nr. 9887/2008 (i ndryshuar). Inspektimi në lidhje me këtë detyrim ligjor i takon komisionerit, ndërkohë që në nenin 15 të ligjit kjo kompetencë i njihet ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.
Neni 6 i ligjit i jep pushtet të pakufizuar Policisë së Shtetit për të vlerësuar instalimin e sistemit të kamerave të sigurisë kudo nëse përbën ‘burim rreziku të shtuar’, ndërkohë që nuk janë përcaktuar as kriteret mbi bazën e të cilave kufizohet apo përcaktohet lloji dhe masa e rrezikut. Analiza e vlerësimit të rrezikut sipas nenit 7 është vendimtare në vlerësimin e masave shtesë të detyruara nga Policia e Shtetit, e cila si rrjedhojë ndiqet edhe nga përpunimi i më shumë të dhënave dhe pa dyshim cenimi i privatësisë është edhe më evident.
Neni 4/a i ligjit, që parashikon vendosjen e kamerave në ambientet e punës bie në kundërshtim me pikën 10/2 të Udhëzimit nr. 11/2011 “Për përpunimin e të dhënave të punonjësve në sektorin privat”, të komisionerit, i cili ndalon në mënyrë kategorike survejimin e punonjësve, pasi është në tejkalim të qëllimit.
Ndryshe nga sa përcakton neni 6 i ligjit, Udhëzimi i Komisionerit nr. 12/2011 “Për kontrollin dhe identitetin në hyrje të ndërtesave”, ndalon përpunimin e të dhënave të vizitorëve në këtë mjet nëse një ndërtesë ose një zonë është e hapur për publikun.
Gjithashtu, referuar këtij udhëzimi, pronari ose administratori duhet të mbajë lidhje dhe të njoftojë komisionerin për çdo përpunim për qëllime të mbrojtjes së pronës ose të administrimit të ndërtesës dhe të sigurisë.
Ndryshe nga sa përcakton neni 7 i ligjit, udhëzimi i komisionerit nr. 21/2012 “Për përcaktimin e rregullave për ruajtjen e sigurisë të të dhënave personale të përpunuara nga subjektet përpunuese të mëdha”, përcakton se analiza e vlerësimit të riskut është një prej detyrimeve që mbart çdo kontrollues.
Ligji krijon hapësirë që të dhënat të përdoren edhe si mjet kërcënimi
Ndërhyrja në të drejtën për jetë private dhe familjare përmes masave të parashikuara në nenin 8 të ligjit nuk është e justifikueshme, e domosdoshme dhe proporcionale.
Neni 35 i Kushtetutës, krijon mundësinë e bërjes publike të të dhënave personale edhe pa pëlqimin e personit, nëse një gjë të tillë e ‘kërkon ligji’ (paragrafi 1) ose në rastet e ‘parashikuara me ligj’ (paragrafi 2). Një kufizim i tillë, në kushte të caktuara, gjen mbështetje edhe nga neni 17 i Kushtetutës (kufizimi të bëhet ‘…vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve…’).
Gjykata Evropiane ka arritur në përfundimin se shtetet kanë një marzh vlerësimi në lidhje me respektin që duhet treguar për mbrojtjen e të dhënave personale, por gjithmonë duke patur në konsideratë një balancë të drejtë mes interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe interesave të individëve.
Qëllimi i Ligjit 19/2016 është marrja e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar, duke siguruar bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës dhe garantimin e sigurisë publike. Referuar raportit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ky ligj mundëson përgjegjësinë dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve të një shoqërie, për ta bërë vendin më të sigurt, për garantimin e sigurisë së përbashkët, nga njëra anë dhe nga ana tjetër për të luftuar informalitetin, paligjshmërinë, kriminalitetin, si dhe në funksion të luftës kundër terrorizmit, si dhe parandalimit të kriminalitetit.
Sipas jurisprudecës së GJEDNJ-së, ndërhyrja duhet të jetë ‘në përputhje me ligjin’, çka do të thotë se shteti duhet t’i sigurojë ‘shkallën minimale të mbrojtjes që qytetarët duhet të kenë sipas ligjit në një shtet demokratik’. Gjithashtu, ndërhyrja duhet të jetë e nevojshme në një shoqëri demokratike. Gjithashtu, GJEDNJ ka kërkuar që në çdo rast ndërhyrja duhet të jetë në proporcion me qëllimin që ndiqte. Pavarësisht, se në raste të ndryshme, GJEDNJ ka pranuar domosdoshmërinë e mbledhjes së informacionit, ajo ka insistuar në dispozitat ligjore, të cilat garantojnë mbrojtjen nga abuzimi i shtetit ndaj qytetarëve.
Në rastin konkret, referuar dokumenteve parlamentare nuk del e qartë se përse masat e deritanishme nuk kanë sjellë rezultate dhe përse pikërisht përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë publike, zhdukjen e paligjshmërisë dhe informalitetit.
Referuar nenit 2 të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, mbrojtja e jetës, pronës dhe garantimi i sigurisë publike është detyrë e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, në Republikën e Shqipërisë ekzistojnë një sërë mekanizmash, të cilët garantojnë luftën ndaj paligjshmërisë dhe informalitetit. Në realitet Policia e Shtetit, referuar ligjit të saj organik dhe KPRP ka të gjitha kompetencat që të aksesojë xhirimet që i nevojiten, por brenda qëllimit të përpunimit dhe jo më tepër.
Në praktikën ndërkombëtare, përdorimi i kamerave të sigurisë CCTV është konsideruar si një mënyrë e padëshiruar, por e gjetur si e fundit për të arritur qëllime të caktuara. Udhëzimi nr. 3/2010 i komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka parashikuar përdorimin e kamerave të sigurisë CCTV si mjet dhe mënyrë e fundit, dhe që në rast se përdoret kërkon marrjen e pëlqimit me shkrim në mënyrë të detyrueshme nga 75% e banorëve të pallatit. Gjithashtu, udhëzimi përcakton detyrimin për informimin e subjekteve me qëllim që të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe në rast cenimi të privatësisë t’i drejtohen komisionerit.
Ligji në fjalë mbasi detyron bizneset, administratorët e pallateve, shkollat private dhe publike apo të gjitha institucionet publike të instalojnë kamera dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre, nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera.
Në rastin konkret, jo vetëm që ndërhyrja nuk është proporcionale me qëllimin që do të arrihet, por nuk ofrohen as garancitë në përpunimin e të dhënave. Policia është përgjegjëse vetëm për survejimin e ambienteve publike me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Përmes Ligjit 19/2016 bëhet i detyrueshëm survejimi edhe i ambienteve private, duke lënë në gjykimin e policisë se kush duhet survejuar dhe ku duhet të instalohen kamerat. Nuk ka përcaktime në lidhje me mënyrën e vendosjes së kamerave, të cilat në rast se janë të lëvizshme mund të filmojnë edhe ambiente të tjera apo të personave të ndryshëm që nuk kanë lidhje me qëllimin. Kjo krijon hapësirë për abuzime dhe cenim të rëndë të privatësisë si një e drejtë themelore kushtetuese. Neni 13 i ligjit i jep të drejtë policisë të marrë pamje filmike, ndërkohë që KPRP penale përcakton qartë se diçka e tillë mund të realizohet veç përmes autorizimit të gjykatës.
Ligji nuk përmban asnjë dispozitë që të garantojë të dhënat e përftuara nga vendosja e mjeteve të regjistrimit-përgjimit. Kështu që, mundësia e keqpërdorimit të pamjeve filmike dhe të dhënave personale, shfrytëzimit për qëllime që nuk kanë lidhje me sigurinë apo mundësia e keqpërdorimit të tyre nga ana e strukturave policore si mjet kërcënimi, diskreditimi publik apo për shantazh është evidente. Pra, ligji i miratuar nuk jep asnjë garanci lidhur me ruajtjen e privatësisë së qytetarëve.