Rashica në ankand

Milot Rashica ka nisur prej disa javësh fazën përgatitore me Vitessen, por vështirë se talenti shqiptar do ta vijojë karrierën te skuadra ku u bë i njohur në Eredivizje. Për 19-vjeçarin interesohen klubet të rëndësishme në Europë, ku spikat emri i Chelseat. Sipas mediave holandeze, futbollisti kuqezi është prej kohësh nën vëzhgimin e “Bluve” të Londrës, që me sa duket thjesht presin momentin e duhur për t’u hedhur në sulm.
Ndërkaq në Holandë janë Ajaksi i Amsterdamit dhe PSV Eindhoveni që prej kohësh i janë vënë pas talentit kuqezi, por Vitesse po reziston me qëllim arkëtimin e një shumë sa më të majme për kartonin e tij. Klubi nga Arnhem e konsideron të pashitshëm, por përballë një oferte joshëse, vështirë se do të mund të rezistojë.
Gjatë muajve të fundit shtypi sportiv italian ka informuar rregullimisht për interesimin e Napolit në Serinë A, ndërsa në orët e fundit listës së klubeve që kërkojnë Rashicën i është shtuar edhe Lazio. Drejtori Sportiv i bardhekaltërve, Igli Tare, i angazhuar për të siguruar shërbimet e Bastian Schëeinsteiger, po studion mundësinë për të mbërritur të Rashica, por vështirë se klubi roman të konkurrojë me Chelsean. I lëne jashtë listës përfunditare të kuqezinjve në Euro 2016, Rashica pritet të jetë pjesë e rëndësishme e Shqipërisë në eliminatoret e botërorit Rusi 2018, që startojnë me sfidën ndaj Maqedonisë në “Loro Boriçi”.
Ndërkohë, Andi Lila nuk dëshiron të ndryshojë skuadër. Mbrojtësi shqiptar që është pjesë e skuadrës së PAS Janinës që prej vitit 2011, kërkon ta vazhdojë aventurën në qytetin e Greqisë Veriore edhe pse ofertat në adresë të tij nuk kanë munguar. Asteras Tripolis ofroi 180 mijë euro për kartonin e lojtarit të Kombëtares Shqiptare, por drejtuesit e klubit të Janinës nuk dëshirojnë t’i humbasin shërbimet e tij, pasi e konsiderojnë si një emër shumë të rëndësishëm për projektin e skuadrës. Në këtë mënyrë, palët kanë nisur bisedimet për rinovimin e kontratës deri në vitin 2020.
Mediat greke bëjnë me dije se, palët janë shumë pranë akordit dhe pritet që gjatë ditëve të ardhshme të hedhin format në kontratën që do t’i lidhë edhe për 4 vitet e ardhshme. “PAS Janina kërkon ta mbyllë sa më shpejt këtë çështje, pasi Lila është një lojtar i pazëvendësueshëm për skuadrën”, shkruajnë mediat që vënë theksin te paraqitjet pozitive të mbrojtësit shqiptar në Kampionatin grek. Lila ishte një nga lojtarët më vendimtarë të sezonit të shkuar te PAS Janina pas shumë vitesh u rikthye në Europë, duke siguruar kualifikimin në Europa League.

Artikulli paraprakHungaria, portieri Kiraly tërhiqet nga Kombëtarja
Artikulli tjetërBrazili i fiksuar për medaljen e artë në futboll