Ashtu siç ishte paralajmëruar, biznesmeni i gazit Ilir Karçini, i cili porositi vrasjen me pagesë të rivalit të tij, Piro Bare është liruar nga burgu. Lirimi i Karçinit është bërë me porosi të Ramës, pasi ai njihet si një nga sponsorizuesit kryesorë të PS. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka ndryshuar masën e sigurisë për biznesmenin Ilir Karçini, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Karçini akuzohet nga Prokuroria se ka porositur vrasësin me pagesë Julian Sinanaj për të vrarë konkurentin e tij, Piro Bare kundrejt një pagese prej 150 mijë eurosh.
Ky vendim, vjen pak ditë pas vendimit të Gjykatës që dënoi Karçinin me 5 vite burgim. Kërkesa për ndryshim mase është bërë nga avokatët e biznesmenit. Ata kanë argumetuar para Gjykatës se klienti i tyre ka kryer më shumë se gjysmën e dënimit dhe ka patur një sjellje të mirë. Për më tepër, sipas avokatëve, dënimi për klientin e tyre ka përfunduar, pasi ka më shumë se dy vite e gjysmë që qëndron në paraburgim dhe në bazë të llogaritjeve, ai duhet të ishte liruar.
Prokuroria kundërshtoi kërkesën, duke kërkuar që i pandehuri të përfundojë dënimin e dhënë nga Gjykata. Pasi dëgjoi palët, Gjykata vendosi të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Sipas Gjykatës, sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, masa mund të ndryshohet për të pandehurin.
Ilir Karçini u dënua si pjesë e një grupi kriminal, të cilët kishin porositur disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Vlorë dhe Tiranë. Gjykata dënoi pjesëtarët e këtij grupi më 14 korrik, me 77 vite burg total. Serial killeri Julian Sinanaj u dënua me 35 vite burg, duke i shpëtuar burgimit të përjetshëm, falë bashkëpunimit që pati me Prokurorinë.
Ilir Karçini u arrestua me kërkesë të Prokurorisë në shkurt të vitit 2014, pasi u provua se ai i kishte paguar 150 mijë euro killerit Julian Sinanaj për të vrarë biznesmenin Piro Bare. Fatmirësisht, porosia e Karçinit nuk u realizua dot nga Julian Sinanaj, pasi ai u arrestua me armën gati dhe foton e shënjestrës në xhep, dy ditë para se të kryente ekzekutimin e planifikuar.
Prokuroria e Krimeve të Rënda siguroi provat ndaj biznesmenit Karçini, pas dëshmisë së “vrasësit me pagesë”, Julian Sinanaj. Në seance gjyqësore, Prokuroria paraqet edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një lokal në zonën e “Komunës së Parisit” pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Në këto pamje, Ilir Karçini shikohej se ishte takuar me Julian Sinanajn në fund të muajit nëntor 2013. Pas arrestimit më 25 janar 2014 në Tiranë, Julian Sinanaj “u pendua” dhe mes krimeve që pranoi ishte edhe përgatitja e atentatit ndaj pronarit të kompanisë “Romano Port”, Piro Bare. Sinanaj deklaroi se biznesmeni i kishte dhënë fotografinë e Piro Bares dhe i kishte thënë se atë njeri e donte të vdekur. Sipas Julian Sinanajt, për kryerjen e atentatit, Ilir Karçini kishte premtuar të paguante 150 mijë euro, nga të cilat kishte dhënë kapar 50 mijë euro.
Julian Sinanaj ka përshkruar në dëshminë e tij takimet me Ilir Karçinin. “Para festave në nëntorit 2013, bashkë me Gentian Mëhillajn, kemi ardhur nga Vlora në Tiranë dhe në një lokal te Liqeni jemi takuar me një “tregtar gazi”. Gentiani më tha se miku i tij e donte të vdekur një person. Na ofroi 50 mijë euro për të kryer ngjarjen, por kjo shumë m’u duk e vogël, ndaj e lamë të bisedonim përsëri. U kërkova të më japin foton e personit, targën e makinës dhe adresën e shtëpisë. Pas katër ditësh u takova vetëm unë me tregtarin te Liqeni. Ramë dakord të komunikonim me e-mail. Në këtë takim më dha një fotografi, më tregoi njërin nga vendbanimet e personit, më tregoi tipin e makinës dhe targën që përdorte ai. Në takimin e tretë në të njëjtin vend, kam marrë 50 mijë euro kapar dhe ramë dakord të më jepte edhe 100 mijë euro pas vrasjes. Pas këtij takimi komunikuam me email”, ka deklaruar Sinanaj.
R.POLISI
Biznesmeni Ilir Karçini sponsorizues kryesor i PS
Biznesmeni Ilir Karçini njihet si një nga sponsorizuesit kryesorë të PS. Pas ardhjes në pushtet të PS në vitin 2013, njëri nga miqtë e tij më të ngushtë, Perlat Çullhaj u emërua nga Rama, drejtori i Policisë së Durrësit. Ai kishte punuar për tetë vite radhazi me Karçinin dhe ka qenë propozimi i këtij të fundit për emërimin në krye të Policisë së Durrësit. Duke qenë se aktivitetin e kishte kryesisht në Durrës, por edhe se njeriu që kishte piketuar të likuidonte ishte pikërisht nga ky qytet, Karçini me lidhjet e tij në strukturat e larta drejtuese të PS ka mundësuar emërimin e Çullhajt në krye të Policisë së Durrësit. Çullhaj ka marrë emërimin në këtë detyrë në mesin e muajit tetor 2013. Një nga detyrat e para që Karçini i ka “ngarkuar” Çullhajt ka qenë pastrimi i rivalëve të tij në biznes. Janë dashur afro tre muaj bashkëpunim, që Karçini të arrinte tek emri i vrasësit dhe plani i detajuar për ekzekutimin e rivalit të tij biznesmen.
Si miq të ngushtë, Karçini dhe Çullhaj kishin të përbashkët edhe bizneset. Karçini dhe Aliko Çullhaj, i cili është babai i drejtorit të Policisë të Durrësit, Perlat Çullhaj, disponojnë në pronësi të përbashkët të tyre një pikë të tregtimit të gazit në Gjirokastër. Kjo është një provë e shtrirjes së interesave në biznes mes financuesit të vrasësit me pagesë Sinanaj dhe drejtorit të Policisë, Çullhaj.
Pas arrestimit të Karçinit, mediat publikuan lajme të lidhjeve të Karçinit me drejtorin Policisë së Durrësit, Çullhaj, por në mbrojtje të Çullhajt ka dalë menjëherë ministri i Brendshëm, Tahiri, i cili në vend që të ishte në krahun e viktimave të atentateve po del hapur në mbrojtje të vrasjesve dhe bashkëpunëtorëve të tij të katapultuar në majën më të lartë të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj është akuzuar në media për implikim drejtpërdrejt në rrjetin e trafikut të drogës, duke mundësuar kalimin e lëndëve narkotike nga Porti i Durrësit drejt Italisë.
Perlat Çullhaj është shkarkuar nga detyra në vitin 2009, për shkelje të rënda të ligjit, në ushtrimin e detyrës dhe i hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas të dhënave të shërbimeve partnere të huaja dhe Shërbimit Informativ Shqiptar, për lidhje me organizata kriminale, persona të inkriminuar dhe veprën penale të pastrimit të parave.
Karçini kontrollonte plotësisht Policinë e Durrësit, pasi edhe drejtuesi tjetër i Policisë në Durrës ka qenë për tetë vite shofer i Karçinit. Këto lidhje të forta e kanë bërë Karçinin të besojë se plani për eliminimin fizik të rivalit të vet në fushën e gazit do të shkonte pa asnjë problem.