Reali i Madridit kërkon me çdo kusht David Alaba. Drejtuesit e Los Blancos janë gati të shpenzojnë 65 milionë euro për kartonin e futbollistit austriak. Përgjigjja e kampionëve të Gjermanisë ka qenë negative. Te Bayerni janë gati të negociojnë me Realin për 24-vjeçarin, por me kushte të tjera. Alaba vlerësohet rreth 80 milionë euro dhe nëse spanjollët preferojnë të përfshijnë në bisedime një tjetër futbollist ky duhet të jetë portugezi Pepe ose Varane. Një kusht ndoshta ky i papranueshëm për Zinedine Zidane, për të cilin veterani 33-vjeçar dhe talenti francez janë shtylla e mbrojtjes.
Ancelotti i njeh mirë të dy këta lojtarë, të cilët i ka stërvitur kur drejtonte Realin, por Zidane nuk ka ndërmend të privohet nga asnjëri prej tyre. Trajneri francez gjithsesi do të tentojë të gjitha mënyrat për të marrë shërbimet e Alaba-së, pasi lojtari i përfaqësues austriake ka profilin e lojtarit që i nevojitet për fazën mbrojtëse. Ai është një lojtar polivalent, mund të luajë në qendër dhe në krah të mbrojtjes, si dhe në mesfushë. Në Madrid besojnë se dëshira e vetë lojtarit për t’u tranferuar në Spanjë, do ta detyrojë Bayernin ta pranojë ofertën e Realit. Operacioni duket i vështirë për t’u përmbyllur me sukses, por sikurse është shprehur Zidane në konferencën e fundit për shtyp deri më 31 gusht mund të ndodhë gjithçka.