Lideri i opozitës, Lulzim Basha nga Thumana ka shkuar në zonën e Kënetës në Durrës, aty ku po bëhen përpjekje për të nxjerrë të gjallë nga rrënojat një djalë 17 vjeçar dhe personat e tjerë që shpresohet të jenë gjallë.
Aktualisht në terren forcat e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e 17-vjeçarit. Pak më herët u nxorën nga banesa, nga e cila tashmë ka ngelur vetëm një gërmadhë, dy trupa të pajetë.
Ndërkohë nën rrënoja vijojnë të ngelen dhe 3 fëmijët e tjerë të kësaj familje, mes tyre dy vajza binjake, (jo më të mëdha se 3 vjeç). Në banesë në momentin kur ra tërmeti ishte gjyshja, bashkë me djalin të paralizuar dhe gruan e këtij, si dhe 4 nipërit e saj (fëmijët e djalit tjetër).
Mësohet se prindërit e 4 fëmijëve nuk ndodheshin në banesë, pasi babai ishte në Itali, ndërsa nëna e tyre për vizite tek motra në Tiranë.