Olimpiada nis me futbollin e femrave

Futbolli ishte sporti që çeli Olimpiadën e Rio 2016, me Nilla Fischer të Suedisë që realizoi golin e parë të kompeticionit. Sfida mes Afrikës së Jugut dhe Suedisë në futboll për femra, e cila u luajt në stadiumin Olimpik u fitua nga skandinavet me rezultatin minimal 1-0. Ndeshja ishte e vlefshme për Grupin E dhe ishte një gabim i portieres së Afrikës së Jugut, Roxenne Barker, që i lejoi Fischerit të realizonte golin e 3 pikëve për ekipin e saj në një grup shumë të vështirë, ku bëjnë pjesë Brazili dhe Kina, me vendin organizator që arriti të fitojë 3-0 ndeshjen e parë.
Kanadaja gjithashtu e nisi me fitore turneun olimpik, pasi mundi 2-0 Australinë në Grupin F, pavarësisht se luajti për 70 minuta me 10 vetë. Golat për kanadezet u realizuan nga ana e Beckie në minutën e parë, që ishte njëkohësisht dhe goli më i shpejtë i shënuar ndonjëherë në një Olimpiadë pas vetëm 20 sekondash dhe Sinclair në të 80-ën. Fitore të thellë regjistroi Gjermania që mundi 6-1 Zimbabven. Dapritz dhe Popp shënuan në pjesën e parë për Gjermaninë, ndërsa përfaqësuesja afrikane arriti të shkurtonte diferencën në minutën e 50-të me Basopo.
Gjithsesi gjermanët nuk e vunë për asnjë moment në dyshim rezultatin, pasi realizuan dhe katër herë të tjera me Behringer, dy herë, Leupolz dhe një autogol të Chibanda në minutën e 90-të. Në Grupin G, SHBA e nisi gjithashtu me një fitore të pastër, pasi mundi 2-0 Zelandën e Re, me gola të Lloyd dhe Morgan, kurse Franca e pati të lehtë në suksesin 4-0 ndaj Kolumbisë, teksa e zgjidhi takimin që në pjesën e parë ku shënoi 3 nga katër golat e saj.

Artikulli paraprakRio 2016 “ndez pishtarin”
Artikulli tjetërShvajn bëhet çështje