Arjen Roben dhe Frenk Riberi kanë bërë epokë te Bajerni. Mesfushori holandez ka 7 vite në Mynih, ndërsa ylli francez feston 9-vjetorin. “Robberi” njihet si dyshja më e frikshme sulmuese nga krahët.
Aftësitë dribluese, temperamenti, karakteri dhe shumë cilësi të tjera i bëjnë ata të pazëvendësueshëm dhe mjaft të rëndësishëm. Por, të dy qëndrojnë në udhëkryq edhe pse kanë pohuar se duan të mbyllin karrierën në Mynih.
Kontrata e tyre skadon në fund të sezonit të ri. Bajerni rinovoi kontrata afatgjata me shumë lojtarë si: Myler, Boateng, Martinez apo Nojer, madje edhe me Ksabi Alonson. Për çudi “harroi” Riberinë dhe Robenin. Por, do të ishte gabim të mendohej që Bajerni harron dy lojtarët më të rëndësishëm në repartin sulmues.
Dhe këtë përgjigje e ka dhënë bosi i klubit, Karl-Hainc Rumenige gjatë një interviste për “merkur.de”. Në këtë intervistë, Rumenige trajton shumë çështje të rëndësishme, ndër to edhe për kontratat e dy mesfushorëve.
“Robberi” rinovojnë “Riberi dhe Roben kanë arritur suksese të mëdha me ekipin tonë. Ata kanë qenë promotorë kryesorë të këtyre sukseseve. Unë e di që ata janë shumë të dashur si nga fansat dhe klubi.
Ne e dimë se kush e shënoi dhe kush e përgatiti golin e fitores në finalen e “Uemblit”. Bajerni nuk harron. Mendoj se që të dy duhet të ruajnë qetësinë për disa muaj dhe më pas do bisedojmë seriozisht dhe në mënyrë korrekte me ta. Nuk e përjashtoj që do rinovojmë kontratat me të dy. Këtë gjë ua kam thënë secilit prej tyre”, nënvizoi Rumenige.
Jo si Siti, teksa Premier Liga po bën blerje të çmendura duke kaluar çdo kufi, bosi i Bajernit nuk i trembet dhe nuk influencohet aspak nga politikat angleze.
“Ne nuk bëjmë si Mançester Siti apo Junajtid. Nuk paguajmë dhe nuk kemi për të paguar si ata. Vitin e kaluar kishim mundësinë të bënim shitje rekord, duke ia dhënë Tomas Mylerin Junajtidit. Por, futbolli për ne nuk është thjesht shifra. Ne e duam futbollin dhe fansat, ndërsa shumë pronarë të klubeve angleze e shohin si biznes”.