Martin GANSLMEIER
Në luftën kundër Shtetit Islamik, Presidenti amerikan Obama ka hapur një front të ri: Libinë. Dy sulmet e para ajrore të së hënës ndaj qytetit bregdetar, bastion i IS-it në Sirte, do të pasohen nga të tjerë derisa qyteti me rëndësi strategjike të gjendet në duart e qeverisë së unitetit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Kjo gjë duhej bërë prej kohësh.
Prej disa javësh qeveria amerikane po ndiqte me pakënaqësi se qeveria e unitetit në Libi nuk po arrin ta rimarrë qendrën e IT-it. Megjithatë Obama nuk donte në asnjë rast të ndërhynte pa pëlqimin e qeverisë libiane. Për këtë atij i duhej të dëgjonte shumë kritika nga Donald Trump dhe republikanët: Obama vepron në luftën kundër IS-it me gjysmë zemre dhe dobët. Pse u jepet kaq kohë milicisë terroriste? Së bashku me Putinin, kështu u shpreh Trumpi, ai do ta mposhtë IS-in brenda disa javësh.
Shtetet e Bashkuara nga ajri, vendasit nga toka
Megjithatë Obama i mbetet besnik strategjisë së tij, që ndjek dhe në Irak dhe Siri: Amerika ofron mbështetje nga ajri, por betejën vendimtare në tokë duhet ta fitojnë trupat vendase vetë. Qeveria libiane nga ana e saj ngurroi për shumë kohë për të kërkuar mbështetje ajrore nga Amerika, se ajo nuk dëshiron të krijojë në asnjë mënyrë përshtypjen e të qenit një qeveri kukull e Perëndimit.
Vendimi i Obamës për më shumë sulme ajrore në Libi ka edhe arsye të brendshme politike: gjatë fushatës presidenciale Libia është bërë simbol i dështimit të ish-ministres së Jashtme, Hillari Klinton. Obama vetë e ka quajtur përmbysjen e Gaddafit pesë vjet më parë, si gabimin më të madh të presidencës së tij. Vdekja e ambasadorit amerikan në Bengazi dhe e tri qytetarëve të tjerë amerikanë të SHBA-së konsiderohet si pika më e dobët në kohën e Hillari Klintonit si ministre. Obama dhe Klinton kanë pra shumë interes, që pas gjithë gabimeve që janë bërë në Libi, ta stabilizojnë më në fund këtë vend.
Edhe në interes të Evropës
Më tepër stabilitet në Libi dhe një pozicion më i fuqishëm i qeverisë së unitetit të mbështetur nga OKB-ja është edhe në interes të Evropës. Një qendër e vazhdueshme e IS-it drejtpërdrejt përpara dyerve të Evropës është një makth. Aq më tepër që në Sirte IS-is ka mundësi të shfrytëzojë burime të rëndësishme nafte dhe me to të financojë aktet e tij terroriste. Në rast se IS-is do të arrijë ta zhysë Libinë sërish në kaos, atëherë kriza në Evropë do të acarohej sërish në mënyrë dramatike.
Në Irak Shteti Islamik ka humbur gjysmën e territorit të tij, në Siri një të katërtën. Prandaj IS-is do të përhapet në Libi. E për këtë arsye tani është edhe më e rëndësishme që milicia terroriste të luftohet edhe më me vendosmëri se deri tani.