Ndalimi dhe refuzimi i ndihmave jo monetare, absurd!

Nga Sali BERISHA

Miq, qindra dhe mijëra individë dhe familje të dëmtuara nga tërmeti, kanë humbur të gjithë investimin e jetës së tyre, kanë humbur çdo gjë.

Ata kanë nevojë për gjithçka. Pikërisht për këtë arsye një ndjenjë e fuqishme solidariteti dhe bujarie ndaj tyre ka shpërthyer në mbarë kombin shqiptar, por edhe miqtë tanë kudo në botë për të mbledhur ndihma monetare, por edhe në ushqime, veshje, shtroje e çdo gjë tjetër që ndihmon dhe lehtëson gjendjen e të mbijetuarve nga tërmeti.

Këta qindra mijëra qytetarë shqiptarë e të huaj, meritojnë nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë për aktin e tyre fisnik dhe bujar.

Por ata papritmas dhe në vend të një mirënjohjeje dhe falenderimi, marrin një Jo të thatë absurde, cinike, nga kreu i Meduzës e madje karvanët e tyre, sipas mediave, janë kthyer mbrapsht.

Pranojmë vetëm kontribute financiare, deklaron me papërgjegjësi të plotë Edvin Kristaq Rama.

Ky është një akt sa çnjerëzor dhe zuzar që shënon një shtetëzim sipas mentalitetit atëror totalitar të të dëmtuarve nga tërmeti në një kohë kur asnjeri prej tyre gjer sot nuk e ka autorizuar atë për të refuzuar ndihmat bujare të mbledhura për ta.

Është çnjerëzor gjithashtu sepse fyen ndjenjat fisnike të qindra mijëra burrave dhe grave që duan të ndajnë, të lehtësojnë sadopak dhimbjen e skamjes brutale të menjëhershme që iu krijoi atyre goditja shkatërruese nga tërmeti.

Sigurisht, shpërndarja e ndihmave duhet të jetë transparente dhe të organizohet mirë, por për shkak se kjo nuk mund të bëhet apo se ndihmat vidhen nga narko-zyrtarët e Edvinit, kjo nuk do të thotë që ato të ndalohen.

Shpërndarja e tyre mund t’i besohet Kryqit të Kuq, Gjysëm Hënës së Kuqe, Karitasit dhe organizatave të tjera me eksperiencë të çmuar në këtë fushë.

Duke dënuar me ashpërsi vendimin cinik por edhe të turpshëm e të pacipë të shpallur nga kreu i Meduzës që përdor fatkeqësinë e madhe kombëtare për manipulime të neveritshme mediatike dhe gjendjen e jashtëzakonshme për vendime cinike, kërkoj anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe pranimin me mirënjohje të pakufishme të ndihmave për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti.

Artikulli paraprakTronditëse! Drita 15 vjeçe humbi jetën nga tërmeti, vëllai i vogël e kërkon korridoreve të spitalit
Artikulli tjetërKaos pas termetit tragjik! Qeveria nuk arriti të ngrejë Shtabin e Emergjencës…