Hap fals i brazilianëve, barazojnë me Afrikën e Jugut

Brazili e nis me një hap fals Olimpiadën “Rio 2016”. Skuadra “selecao” e udhëhequr nga Neymar nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në ndeshjen debutuese kundër Afrikës së Jugut. Verdhjeshilët dhuruan shumë zhgënjim për të pranishmit në stadiumin “Nacional Mane Garrincha” të Brasilias. Një barazim që heq shkëlqimin e Brazilit ku trajneri Rogerio Micale debutoi në mënyrën më të keqe edhe pse objektivi i tij është fitorja e medaljes së artë.
Pas startit të dobët Brazili fitoi terren dhe në pjesën e dytë arriti ta dominonte kundërshtarin që për më tepër luajti me 10 lojtarë për 30 minuta lojë. Edhe në ndeshjen tjetër të këtij grupi mes Danimarkës e Irakut nuk pati gola. Brazili do të rikthehet në fushë të dielën për të sfiduar Irakun në një sfidë ku do të kërkojë me ngulm 3 pikëshin e parë olimpik.
Në Grupin D, Hondurasi kaloi 3-2 Algjerinë, ndërsa Portugalia mundi pastër 2-0 Argjentinën. Zhgënjim edhe për Gjermaninë që barazoi 2-2 me Meksikën, ndërsa Nigeria dhe Japonia shënuan plot 9 gola në takimin ku triumfuan afrikanët. Një tjetër takim i mbyllur në barazim 2-2 ishte edhe ai mes Suedisë e Kolumbisë.
Lojërat Olimpike startojnë zyrtarisht me ceremoninë hapëse, e cila do të fillojë rreth orës 01:00 të mëngjesit së të shtunës në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros. Investimet për këto lojëra kanë arritur shifra të çmendura.
Përgjithësisht të gjitha vendet organizatore të Lojërave Olimpike tejkalojnë bindshëm shpenzimet për organizimin e tyre. Në fundin e vitit 2015, në Hamburg njerëzit refuzuan që qyteti i tyre të ishte kandidat për organizimin e Olimpiadës së 2024-s dhe shpenzimet e jashtëzakonshme që kërkon organizimi i këtyre lojërave, ishte arsyeja kryesore.
Sipas studimit olimpik të Oksfordit për vitin 2016, Rios i kanë kushtuar përgatitjet e këtyre lojërave rreth 4.58 miliardë dollarë, duke tejkaluar parashikimet me 51%.
Edhe pse ngjan një shifër marramendëse, kjo është thuajse asgjë krahasuar me shifrën që kanë kushtuar Lojërat Dimërore Olimpike “Soçi 2014” në Rusi. Organizimi i tyre tejkaloi në mënyrë katastrofike buxhetin fillestar, duke shkuar në shifrën e 20 miliardë dollarëve, që do të thotë se buxheti fillestar tejkaloi me 289%.
Kjo shifër mbetet rekord në studimin e bërë nga Oksfordi, i cili ka analizuar shpenzimet duke filluar nga Olimpiada e Barcelonës e vitit 1992 që gjithashtu ka patur një tejkalim shumë të madh, ashtu si ajo pasardhësja e Lilhamerit në Norvegji.

Artikulli paraprakBerluskoni lamtumirë
Artikulli tjetërInfantino lehtësohet nga “akuzat”