Infantino lehtësohet nga “akuzat”

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino duket se nuk ka shkelur asnjë rregullore teksa ka pranuar ofertat e udhëtimeve private për të vizituar Papa Françeskun në Vatikan, Vladimir Putinin në Moskë dhe emirin e Katarit. Infantino është lehtësuar nga të gjitha dyshimet e hedhura ndaj tij prej Gjykatës së Etikës së FIFA-s, pas një hetimi sekret që kërcënonte të minonte presidencën e tij 6-mujore në krye të trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, të goditur prej skandaleve kohët e fundit.
Vendimi i Gjykatës, i publikuar në Zyrih teksa Infantino zgjohej në Rio de Janeiro për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, që do të zhvillohet pasditen e kësaj të premteje, i dha fund javëve të tëra spekulimesh që u nxitën nga informacionet e publikuara në mediet zvicerane dhe ato gjermane, të cilat sugjeronin se do të bëhej i fundit i udhëheqësve të FIFA-s të pezulluar nga posti.
“Përfitimet e siguruara prej Infantinos nuk konsiderohen si të papërshtatshme bazuar mbi ligjet dhe rregulloret e aplikueshme të FIFA-s”, thanë prokurorë të Etikës së këtij organizmi, përmes një deklarate që konfirmuan edhe njëherë dhënien fund të hetimeve zyrtare ndaj tij.
Çështja disajavore nxori në pah mosmarrëveshjet në FIFA gjatë periudhës së tranzicionit të udhëheqjes drejt Infantinos, që kur ai u zgjodh në muajin shkurt me synimin për ta modernizuar dhe pastruar organizatën botërore të futbollit, të lënë në situatën më të keqe pas afro 18 vitesh të presidencës së Sepp Blatterit.
“Dëshmitarë të shumtë” kanë folur deri në këtë të premte për prokurorin e Etikës, Robert Torres, përfshi këtu punonjës stafi dhe zyrtarë të lartë, të cilët kanë dhënë dorëheqje apo janë shkarkuar që prej muajit maj. Hetimi ndaj konflikteve të interesit të pretenduara dhe pranimit të dhuratave mori nën shqyrtim edhe mënyrën sesi Infantino emëroi këshilltarët e lartë, si dhe refuzimin e tij për të nënshkruar një kontratë pune.

Artikulli paraprakHap fals i brazilianëve, barazojnë me Afrikën e Jugut
Artikulli tjetërReali, ofertë 65 mln euro plus Varane për Alabën