“Yaya Toure mund të kalojë te Interi”

Agjenti i Yaya Toure i hap derën Interit. Pavarësisht se kontrata e tij përfundon sezonin e ardhshëm, mesfushori i Manchester City do të largohet nga Anglia në fund të këtij sezoni. Lajmin e konfirmon agjenti i futbollistit nga Bregu i Fildishtë, Dimitri Seluk, i cili gjithashtu i ndez dritën jeshile Interit për një transferim të mundshëm të Yaya Toure në Milano.
“Yaya tek Inter? Për momentin mundem vetëm të konfirmoj se klienti im do të largohet nga Man.City në fund të sezonit. Inter është një klub i madh dhe ka një projekt ambicioz. Të gjithë e dimë që Yaya ka një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin Mançini. Në drejtim të futbollistit kanë ardhur shumë oferta dhe ne jemi duke i marrë të vlerësuar secilën prej tyre”, tha ai.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë prej kohësh kërkohet nga klubi ziklatër. Trajneri Roberto Mançini sezonin e kaluar e dëshironte  me ngulm lojtarin, por pavarësisht se mes tij dhe 34-vjeçarit pati sinjale pozitive, transferimi nuk u realizua. Sidoqoftë konfirmimi se Yaya Toure do të largohet nga Citiziens, ka rindezur shpresat e Interit dhe ndoshta sezonin e ardhshëm Mançini do të këtë në dispozicion shtatlartin afrikan.
Ndërkohë, Antonio Conte zyrtarisht i Chelseat. Trajneri i Kombëtares së Italisë do të marrë drejtimin e skuadrës londineze në fund të Euro 2016. Lajmin e bën të ditur vetë klubi britanik, duke u dhënë fund zërave për të ardhmen e stolit pas largimit të Guus Hiddink në fund të sezonit. 46-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me “Blutë e Londrës”. Chelsea vazhdon të mbetet i pamundur  në Premier League që pas largimit të Jose Mourinhos, por pavarësisht këtij fakti, presidenti Roman Abramovich ka vendosur të mos i japë besim holandezit Hidink, i cili ka një kontratë të përkohshme deri në fund të sezonit.
Me zyrtarizimin në stolin e Chelseat, Conte do të nisë eksperiencën e parë jashtë Italisë, ku arriti të triumfonte për 3 sezone rresht me Juventusin. Ai zuri vendin e Cesare Prandellit në stolin e Italisë pas largimit të ish-trajnerit të kaltër që dështoi në Botërorin 2014. Gjatë dy viteve në drejtimin e Kombëtares, Conte arriti të siguronte kualifikimin për në Euro 2016, duke regjistruar një ecuri pozitive në grupin eliminator ku nuk regjistroi asnjë humbje. Me emërimin në stolin e Chelseat, Conte konfirmon traditën e trajnerëve italianë te Chelsea, ku më parë kanë punuar edhe Vialli, Di Matteo apo Carlo Ançeloti.

Artikulli paraprakFrancezët: Benzema jashtë Kombëtares
Artikulli tjetër“Panamaja” zbardh marrëveshjet sekrete financiare të 140 politikanëve