Milot Rashica ka shkëlqyer në fundjavën e kaluar për Werder Bremenin, pasi e kanë mposhtur Wolfsburgun 3-2 në kuadër të javës së 13-të në Bundesligë.
Ylli vushtrrias shënoi dy gola në këtë ballafaqim, duke arritur që ta kthejë skuadrën e tij në rrugën e fitores pas 87 ditësh.
Te Werderi duket se asgjë nuk shkon pa Rashicën. Në shtator, reprezentuesi i Kosovës u rikthye nga lëndimi.
Që nga atëherë, ai ka shënuar shtatë gola në nëntë paraqitje për skuadrën gjermane.
Duke parë formën e tij të lartë, shumë skuadra janë të interesuara për Rashicën dhe sipas Bild, Werderi i ka caktuar vlerën lojtarit të ‘Dardanëve’.
Klubi nga Bundesliga thuhet se po kërkon 50 milionë euro nga shitja e 24-vjeçarit, derisa kontrata e tij skadon në verën e vitit 2022.
Bremeni ka tentuar që ta bind Rashicën që ta vazhdojë kontratën dhe klauzola e tij të rritet edhe më shumë, por një gjë të tillë nuk e ka pranuar lojtari.