Interi dhe Napoli në një tjetër garë në këtë merkato verore. Pas zhurmës së krijuar nga oferta e presidentit të napolitanëve, Aurelio de Laurentiis për Mauro Icardin, një tjetër futbollist i rëndësishëm përplas interesat e dy klubeve italiane. Bëhet fjalë për Diego Costan, tashmë i skarcuar nga Conte në radhët e Chelsea-t. Në fakt rreth 10 ditë më parë trajneri italian u shpreh se nuk do ta lejonte të transferohej te Atletico e Madridit sepse ishte sulmuesi i vetëm “pykë” te Blutë e Londrës, por me blerjen e Lukakut nga Evertoni 27-vjeçari del i tepërt në organikë.
Menaxheri i futbollistit, Jorge Mendez, e ka kuptuar prej kohësh që një nga klientët e tij më të rëndësishëm duhet të gjejë një tjetër ekip, pasi nuk mund të qëndrojë gjatë gjithë sezonit në stol.
Për këtë arsye Mendez ka telefonuar drejtuesit e Interit, por edhe të Napolit, për të kuptuar nëse janë të interesuar për numrin 19 të “Bluve të Londrës”. Portugezi beson se Costa mund ta zëvendësojë më së miri të larguarin te Juventusi Gonzalo Higuain, ndërsa te zikaltërit do të merrte vendin e Icardit, sigurisht nëse sulmuesi argjentinas vendos të largohet nga Interi. Diego Costa është gati të nisë një aventurë të re në Serinë A, për të lënë pas një sezon plot zhgënjim, që kulmoi me mosgrumbullimin në kombëtaren e Spanjës në finalet e Euro 2016.
Pas zhgënjnimit në turneun amerikan, Interi u turpërua edhe në miqësoren e parë të zhvilluar në Europë. Në Olso, zikaltërit u mposhtën 6-1 nga Tottenham. Ever Banega debutoi në mënyrë të shkëlqyer, ndërsa në pritje të Candreva-s, zhgënjeu Biabiany. Miqësorja nisi menjëherë e vështirë për Interin, me Ansaldin që pas pesë minutave lojë ndërhyri ndaj Walker dhe gjyqtari akordoi një penallti të diskutueshme. 11-metërshi u shndërrua në gol nga Kane, ndërsa pas apatisë së minutave të para, zikaltërit u kthyen në lojë, falë Banegas. Vertikalizimi i tij për Perisiç në të 23-ën solli edhe golin e barazimit të përkohshëm për italianët.
Por, nëse mesfusha dukej solide dhe sulmi realizoi manovra të pëlqyeshme, më pak garanci dha mbrojtja. Reparti difensiv nuk funksionoi si duhet, duke i dhuruar Tottenhamit golin e avantazhit 2-1 me Lamelan, pak përpara pushimit të ndeshjes. Por, problemi më i madh ishte se në fraksionin e dytë të lojës, Interi u shfaq sikur nuk kishte zbritur aspak në fushë. Megjithë 4 zëvendësime, Tottenham realizoi dy gola dhe goditi një shtyllë në harkun e 12 minutave, me protagonist Harry Kane.
Në të 52-ën sulmuesi finalizoi pas kombinimit me Alli, pak çaste më pas ishte i pafat me topin që përfundoi në shtyllë, ndërsa në minutën e 57-të realizoi me potencë, pas një kundërsulmi të shpejtë të “Spurs”. Pas një ore lojë, Mançini nisi zëvendësimet dhe me largimet e Banegas, më të mirit në fushë, Brozoviç, Perisiç dhe Ansaldi-t, Interi humbi idetë dhe ekuilibrat, duke pësuar edhe dy gola të tjerë.
Në të 65-ën Janssen u përfshi në listën e golashënuesve, ndërsa në të 77-ën ishte i riu Harrison, vetëm pak çaste pas aktivizimit nga stoli, ai që vulosi fitoren 6-1 të Tottenham. Ishte vetëm një miqësore, por me paraqitjen e bërë, Interi është në alarm.