50 mijë lekë nën dorë për një pasaportë në Lushnjë

Në zyrat e shtetit në Lushnjë nuk mund të kryesh asnjë punë pa dhënë ryshfet punonjësve që kanë për detyrë të zgjidhin problemet e qytetarëve. Jo vetëm në Bashki, por edhe në zyrat e tjera shtetërore po nuk pagove ryshfet nën dorë nuk mbaron punë. Korrupsioni ka përfshirë edhe zyrat e ALEAT ku merren pasaportat biometrike. Që të marrësh një pasaportë brenda afateve duhet të paguash 50 mijë lekë punonjësin e zyrës, në të kundërt ai të sorollat lart e poshtë, duke e vonuar pasaportën deri në dy muaj.
Skandali është denoncuar nga kryetari i PD të Lushnjës, Myslim Murrizi, i cili ka publikuar mesazhin e një qytetari ku punonjësi i kompanisë ALEAT, Melsed Hoxha i kërkon 50 mijë lekë që të marrë pasaportën.
“Punonjësi i kompanisë ALEAT, Melsed Hoxha që punon tek zyra e aplikimit të pasaportave në Njësinë Administrative Fier-Shegan, Lushnjë dhe që herë-herë zëvendeson dhe punonjësen tjetër në zyrën e Lushnjës tek posta e vjetër, në këtë valë fluksi emigrantësh problemin e radhës e zgjidh kundrejt marrjes së 50 mijë lekëshit ose siç e quan Ai me kode, “një Skënderbe”. Po buklikoj korrespondecëen e këtij punonjësi me një qytetar lushnjar të ndodhur të mërkurën më datë 3 gusht ora 9:30-10:00, 2016 nga FB i tij. I bëj thirrje Policisë dhe Prokurorisë së rrethit Lushnjë të kryejnë detyrën. Njëkohësisht falenderoj dhe qytetarin për kurajon dhe besimin që denoncon një hajdut të “vogël”, shkruan Murrizi në faqen sociale Facebook.
Ky skandal ka krijuar revoltë tek mjaft qytetarë, disa prej të cilëve kanë reaguar në rrjetet sociale, duke u shprehur se jo vetëm në zyrat e ALEAT, por edhe në Bashkinë e Lushnjës duhet të paguash 50 mijë lekë që të marrësh një dokument. “As në bashki nuk mbaron punë dot pa 50 mijë lekë”, shkruan një qytetar nga Lushnja.
Korrupsioni më i thellë është në arsim, ku për të emëruar një mësues shkolle “rilindasit” marrin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro. Në Lushnjë punësimet bëhen me zarfin 5 mijë euro. Mësuesve iu shkelet dinjiteti dhe disa prej tyre janë shtrënguar të përfliten për histori të ulëta, nën presionin e drejtoresha të PS-së, të punësuara në zyrat e partisë. Testi kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, është konkursi “Lekë për Partinë”, zyrtarët e lartë të Ministrisë deklaruan se nuk do të punësohen të gjithë fituesit e konkursit. Eshtë e patolerueshme që intelektualët të përqafojnë këtë skemë korrupsioni që jo vetëm shkatërron institucionet arsimore, por shkatërron të ardhmen e Shqiperisë. Lushnja dëshmon krizën dhe dështimin e qeverisë veçanërisht në bujqësi, ku subvecionimet për fermerët dolën skema mashtrimi dhe favoret bëhen vetëm për grupet klienteliste.
Qytetarët kanë denoncuar me dhjetëra herë abuzimet në arsim, shëndetësi dhe me ndihmat sociale, por asnjëherë nuk është marrë masë për zyrtarët që abuzojnë me detyrën dhe kërkojnë ryshfet. Korrupsioni është ngritur në sistem nga qeveria e “Rilindjes” dhe për çdo emërim në administratë merret ryshfet. Sistemi i arsimit në Lushnjë kulmon me skandalin e ryshfeteve dhe favoreve seksuale të drejtoreshës së arsimit, e cila përfundoi në pranga pas denoncimit nga mësuesit që u kishte marrë nga 3 mijë euro për një vend pune.

Artikulli paraprakNjerëzit e Ballës, parcela me kanabis në Parkun Kombëtar
Artikulli tjetërPD: Emergjent largimi i vëllait trafikant Xhafa nga Komisioni