Forca të shumta policie dhe të asaj Bashkiake kanë mbërritur këtë pasdite në Qytetin Studenti për të nxjerrë nga aty banorët që ndodhen prej vitesh në godinën nr.15. Në videon e siguruar nga MAPO, Policia u kërkon banorëve të dalin nga godina me pretekstin se në këtë godinë ka pasur dëme nga tërmeti i 26 nëntorit.
Familjarët kanë refuzuar urdhërin e Policisë, duke u shprehur se ndërtesa nuk ka pasur dëmtime.
Në fakt është shumë i çuditshëm fakti që Policia shkon pikërisht në një orë të vonë të ditës për të nxjerrë banorët nga ndërtesa, çka lë shumë dyshime për këtë sjellje.
Këtë fakt e kanë shprehur edhe banorët që thonë se urdhri iu ka mbërritur në orët e vona të pasdites, duke mos iu lënë hapësirë akomodimi diku tjetër. Banorët akuzojnë kryebashkiakun Erion Veliaj se po përfiton nga situata për t’i nxjerrë ata jashtë.