Cristiano Ronaldo nuk do të jetë mungesa e vetme e rëndësishme për Realin e Madridit në sfidën e Superkupës së Europës ndaj Sevillas që do të zhvillohet këtë të martë në Norvegji. Trajneri i Los Blancos, Zinedine Zidane ka grumbulluar 20 futbollistë për transfertën nordike dhe përveç Ronaldos nuk do të jenë pjesë e Realit në këtë ndeshje as Toni Kroos e Gareth Bale. Për shkak të impenjimeve me kombëtaret e tyre në Euro 2016, teksa Gjermania dhe Uellsi avancuan deri në gjysmëfinale, Kross dhe Bale janë bashkuar me skuadrën në stërvitje vetëm përpara pak ditësh dhe nuk kanë arritur ende formën e tyre optimale për të zbritur në fushë. Për të mos rrezikuar ndonjë dëmtim të mundshëm Zidane i ka lënë pushim të dy këta futbollistë. Gjithsesi lajmi i mirë për të gjithë tifozët e Realit është se Karim Benzema është riaftësuar në kohë dhe do të jetë gati për takimin ndaj skuadrës së Jorge Sampaolit. Nuk bën pjesë në listën e të grumbulluarve as qendërmbrojtësi Pepe.
Në “Lerkendal Stadion”, në stadiumin ku luan skuadra e Rosenborgut, Reali i Madridit do të synojë të fitojë për herë të tretë në historinë e klubit Superkupën e Europës, trofe të cilin e ka fituar më 2002 dhe 2014-tën, vit në të cilin ka triumfuar pikërisht ndaj Sevillas. Trajneri i Los Blancos Zidane në mungesë të portierit titullar Keylor Navas, i cili është i dëmtuar, ka grumbulluar për herë të parë në skuadrën e parë të Realit djalin e tij Luca Zidane, i cili në këtë sfidë do të jetë portieri i tretë i Realit. Përsa i përket formacionit shumë nga zgjedhjet e trajnerit francez janë të detyruara edhe për shkak të mungesave. Kështu në portë do të luajë Kiko Casilla, ndërsa 4-shja e mbrojtjes do të përbëhet nga njëri mes Carvajal e Danilos në të djathtë, Ramos e Varane në qendër dhe Marcelo në krahun e majtë. Në mesfushë pritet të aktivizohet si titullar Luka Modriç, i cili do të ketë në krah Casemiron dhe njërin mes Kovaçiç e Iscos. Në sulm nëse Benzema ia del do të luajë së bashku me Moratën dhe James Rodriguez në të kundërt në vend të francezit do të aktivizohet Lucas Vasquez.
James Rodriguez përfundon në radarët e Arsenalit. Në pamundësi për të firmosur me algjerianin e Leicester City-t, Riyad Mahrez trajneri i Topçinjve, Arsene Wenger e ka hedhur vështrimin nga kolumbiani i Realit të Madridit. Në fakt James Rodriguez në një intervistë të para pak kohësh bëri të ditur se nuk dëshiron të largohet nga Los Blancos pasi ndihet mirë në Madrid, megjithatë kjo nuk e pengon Arsenalin të trokasë në dyert e klubit merengues për t’u interesuar për shërbimet e 25-vjeçarit. Sipas mediave spanjolle, të cilat u referohen atyre angleze raportet mes dy klubeve janë shumë të mira që pas transferimit të Mesut Ozil në “Emirates Stadium” për 45 milionë euro më 2013-tën dhe ky fakt mund të ndikojë jo pak.
James Rodriguez për shkak të dëmtimeve të shpeshta, por edhe formës jo të mirë humbi vendin e titullarit te Reali i Madridit gjatë sezonit të kaluar, madje me marrjen e drejtimit të skuadrës nga ana e francezit Zidane, ylli i Los Cafeteros gjeti shumë pak hapësira në formacion. Sidoqoftë lojtari shpreson që këtë sezon të rifitojë vendin e tij në skuadër edhe pse nuk përjashtohet aspak një kalim i mundshëm i James-it te Arsenali. Për të rivalizuar dy skuadrat e Manchesterit, por edhe Tottenhamin, Chelsea-in e Liverpoolin në garën për titull Wenger kërkon të bëjë një tjetër goditje të madhe në merkato pas blerjes së Granit Xhakës dhe i përzgjedhuri i trajnerit francez është pikërisht James Rodriguez.