Protestë kundër Veliajt: “Ti ke varur portretet e kriminelëve në Bulevard”! (Foto)

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, u shfaq në një ekspozitë që i dedikohej të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës komuniste. Ai mori fjalën para familjarëve të të zhdukurve, por pati protesta në radhët e tyre.

“Ti ke varur portretet e kriminelëve në Bulevard”, dëgjohen zërat nga salla që i drejtohen Veliajt ndërsa ai u mundua të qetësonte protestën duke thënë se ai ishte vetëm 10 vjeç kur ra sistemi komunist.

Fjalimi i tij u shoqërua me protestën e disa prej familjarëve që kishin ardhur aty duke shpresuar se pas 30 vitesh ndoshta institucionet më në fund do të bëjnë një hap konkret për gjetjen e të afërmeve të tyre.

Me protestë u shoqërua dhe fjala e kreut të komisionit të ligjeve Ulsi Manja, i cili tha se ai garantonte se komisioni do të mbështeste çdo iniciativë për gjetjen e të zhdukurve në komunizëm, që sipas tij, “pa u zgjidhur kjo nuk mund të kishte qetësi për ndërgjegjen shoqërore shqiptare”.

Disa prej të afërmve të viktimave të komunizmit u larguan të revoltuar, ndërsa një prej zotërinjve që i drejtohej Veliajt nga salla i tha Mapo-s se fjalimi i tij dhe i deputetit socialist Ulsi Manja ishte një fyerje për ta.

“Unë flas këtu si qytetar, më kanë arrestuar babanë dhe vëllanë, por këtu kam ardhur si qytetar dhe nuk mund të flasë për të zhdukurit e diktaturës Veliaj, i cili në Bulevard gjithë muajin nëntor na vari portretet e disa kriminelëve të komunizmit, ish-drejtues të sigurimit të shtetit”, tha Tarif Hysa.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Nebil Çika protestoi gjithashtu dhe doli jashtë sallës në shenjë proteste. Ai i tha Mapo-s se nuk mund të garantojë Ulsi Manja se shteti do të vihet në dispozicion të gjetjes së të zhdukurve kur në komisionin e ligjeve që ai drejton ka Spartak Brahon, një ish-gjykatës i diktaturës që ka dënuar njerëz me vdekje.

Sipas shifrave zyrtare llogariten të jenë rreth 6 mijë të shpërndarë në 37 varre masive në gjithë vendin. Vendi ynë ka ratifikuar një konventë të OKB-së që e detyron të punojë për gjetjen e tyre, por që nga ratifikimi nuk është bërë pothuajse asgjë në këtë drejtim.

Përfaqësuesi i OKB-së në këtë ekspozitë, Bernard Duhaime, tha se ky cilësohet një krim i vazhdueshëm që vijon deri në momentin që fati i të zhdukurit sqarohet dhe identifikohet.

Asnjë zhvarrim zyrtar me urdhër të prokurorisë nuk është bërë deri më sot në Shqipëri edhe pas një marrëveshje të posaçme me ICMP-në institucion ndërkombëtar që merret me zhvarrimet dhe identifikimin e të zhdukurve me forcë nga regjimet totalitare.

Prokurori i ri i Përgjithshëm Olsion Çela ishte i pranishëm në këtë aktivitet, por nuk bëri asnjë deklaratë, ndërkohë që institicioni i prokurorisë është ai që duhet të japë urdhërat për nisjen e zhvarrimeve në vendet e piketuara tashmë nga familjrarët ku besohet se janë varrosur të afërmit e tyre të pushkatuar apo të vdekur në burgjet komuniste.

“E shkuara e pakryer” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Kombëtar nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

21212121212121212

Artikulli paraprakRai3 emision të posaçëm për ligjet e Ramës kundër medias
Artikulli tjetërVokshi: Qeveria po kërkon t’u mbyllë gojën gazetarëve, PD do të anulojë ligjin me ardhejn në pushtet