Shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi nga Komisioni i Punëve të Jashtme ka rikthyer sërish gazin lotsjellës në Kuvend.
Driton Çaushi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pak para se të votohet projektligji nga komisioni për procedim në Kryesinë e Kuvendit për procedura të mëtutjeshme, ka hedhur gazin lotsjellës në sallë ku po mbahej mbledhja. Ai më pas, për këtë veprim është shoqëruar në polici.
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe deputetë të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kundërshtuar në vazhdimësi procedimin e projektligjit në Kryesinë e Kuvendit, duke kërkuar që i njëjti të anulohet dhe të arrihet një marrëveshje e re me Malin e Zi.
Pretendimet e Vetëvendosjes, por edhe opozitës në përgjithësi dhe disa deputetëve nga partitë në pushtet janë se me këtë marrëveshje, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj Bujupi tha se nëse Kuvendi ratifikon këtë marrëveshje, atëherë kundërshtimi do të jetë i masa radikale që do të mund të reflektojnë në gjendjen e gjithanshme të sigurisë në vend.
Ajo ka kundërshtuar projektligjin dhe ka kërkuar që t’i kthehet qeverisë, e cila e ka proceduar për miratim në Kuvend.
“Si Lëvizje Vetëvendosje do t’i përdorim të gjitha format. Të gjitha pa përjashtim. Edhe mënyrat jo konvencionale, në mënyrë që me ndal këtë tradhti sepse më shumë asnjëherë nuk ka pasur zëra kundër një marrëveshje, kundër një vendimi, kundër një ligji dhe në fund kanë votuar pro. E prandaj ne nuk guxojmë të lejojmë që të vijë në Kuvend për votim”, ka thënë Donika Kadaj Bujupi.
Ndërkohë, deputeti Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se, me veprimet e saj, qeveria po krijon huti dhe po e thellon krizën politike në vend.
“E them para jush, para deputetëve, para të gjitha mediave se qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe nëse kalon kjo marrëveshje, më besoni se do të fillojmë një revoltë që ndoshta askush nuk ka dëshirë të përjetojë”, ka paralajmëruar Lekaj.
Por, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme nga partitë në pushtet kanë dhënë arsyetimet e tyre, sipas të cilave, marrëveshja është arritur në bazë të rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Ata gjatë mbledhjes së komisionit kanë përsëritur qëndrimet se Kosova me marrëveshjen e arritur me Malin e Zi për Demarkacion, nuk ka humbur asgjë.
Deputeti Ismet Beqiri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës pos të tjerash ka kundërshtuar paralajmërimet e opozitës se do ta tensionojnë gjendjen në vend.
“Alternativë e institucioneve për mua nuk ka qenë dhe nuk ka për të qenë kurrë e as mjetet jo konvencionale e të ngjashme. Kurrë dhuna nuk është alternativë për institucionet që kemi punuar. Kushdo që e mendon ndryshe përgjegjësinë e mban vet dhe alternativë nuk është rruga e as dhuna”, ka theksuar Beqiri.
Kurse kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Hilmi Reçica nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se qëndrimet aktuale të opozitës nuk i duhen vendit. Sipas tij, ajo çfarë ka bërë dje opozita në mbledhjen e komisionit në Kuvend duke hedhur gazin lotsjellës, paraqet një pabesi të madhe.
“Janë qëndrime, të cilat mund të dëmtojnë këtë vend. Ata për qëndrimet e tyre nuk janë të vetëdijshëm. Ne ua mundësuam që të flasin më shumë se të tjerët dhe në fund të bëjnë një veprim të tillë. Kjo e ka veç një emër, kjo është pabesi tipike”, ka thënë Reçica.
Megjithatë, përkundër situatës së krijuar pas hedhjes së gazit lotsjellës, projektligji u hodh në votim dhe u përkrah me 6 votat e anëtarëve të Komisionit, që ishin deputetë nga radhët e partive në pushtet.
Pas shqyrtimit që ky komision i bëri projektligjit ai pritet të procedohet në Kryesinë e Kuvendit dhe më pas ky organ pritet të caktojë mbajtjen e seancës për ratifikimin e marrëveshjes.
Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka dërguar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, vetëm pak orë pasi u përmbyll një debat në tryezën shkencore-profesionale të Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e deputetëve, ekspertëve, Komisionit Shtetëror, udhëheqësve të institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ka ngjallur për afër një vit reagime të fuqishme të opozitës, e cila bllokoi punimet e Kuvendit duke përdorur edhe gazin lotsjellës. Kurse tani kur çështja është në prag të votimit, opozita paralajmëron edhe reagime të tjera, qofshin ato protesta apo edhe përshkallëzim të situatës së sigurisë vetëm e vetëm që të mos lejohet ratifikimi i demarkacionit aktual me Malin e Zi.
Nisur nga këto zhvillime Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron nga afër punën e Kuvendit, përmes një komunikate u bën thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cenojnë të drejtën e asnjërit deputet për të ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur.