Mungesa e një debati politik, fillimisht në Kuvendin e Kosovës dhe në veçanti kundërshtimet e thella politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, mund ta fusin Kosovën në një cikël dhune, thonë analistët politikë në vend.
Këmbëngulja e partive në pushtet dhe atyre në opozitë për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përveç se e ka thelluar krizën politike në Kosovë, po e kërcënon edhe situatën e sigurisë.
Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk e beson “që Kosova po futet në një cikël të dhunës politike”, megjithëse e cilësoi “sulmin mbi Kuvendin e Kosovës si një atak të rëndë ndaj pavarësisë”.
Debati i organizuar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e demarkacionit, sado që uli për herë të parë pas shumë muajsh deputetët e të gjitha forcave politike në një tryezë të përbashkët, megjithatë nuk ndryshoi qëndrimet e palëve dhe as nuk i uli tensionet e krijuara në skenën politike prej shumë muajsh.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjuha e ashpër politike, e përdorur nga të dy palët, transmeton edhe akte të dhunës.
“Gjuha e ashpër politike pa dyshim se transmetohet edhe në aktet e dhunës, pasi partitë politike nuk kanë kontroll mbi efektet, të cilat i projekton gjuha e tyre tek elektorati dhe mund të ketë edhe akte të dhunës, të cilat vijnë si pasojë e acarimit të gjuhës dhe agresivitetit retorik, i cili është duke u shfaqur këto ditë në skenën politike kosovare”, thotë Muhaxhiri.
Një sulm mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mjete shpërthyese ndodhi pak kohë pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Sulmi ndaj objektit zyrtar erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë dhe pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Analisti Driton Selmanaj, nga Demokracia Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë është më e tensionuar se asnjëherë më parë, ku siç thotë ai, mungon edhe vullneti për të ndërtuar një qasje konstruktive për të ardhmen e vendit.
Sipas tij, kjo situatë politike, e krijuar nga politikanët në Kosovë, krijon hapësirë që të ketë më pas vend edhe për elemente radikale të natyrave të ndryshme.