Tjetër rekord olimpik në not në Olimpiadën e Rios. Amerikania Lilly King fitoi medaljen e artë në 100 metra bretkosë me kohën 1 minutë e 4 sekonda dhe 93 të qindat. Në garën finale në këtë disiplinë, King mposhti konkurrencën e ruses Yulia Efimovam, e cila e përfundoi garën më shumë se gjysmë sekondi më vonë. Medaljen e bronztë e fitoi një tjetër notare amerikane, pikërisht Katie Meili.
Hungarezia Katinka Hosszu vari në qafë medaljen e artë në 100 metra shpinë me kohën 58 sekonda e 45 të qindat. Me 30 të qindat më shumë medaljen e argjendtë e fitoi kinezja Yuanhui Fu, ndërsa medalja e bronztë shkoi për kanadezen Kylie Masse.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurojnë një tjetër medalje në not me rekord olimpik. Ryan Murphy triumfoi në garën e 100 metrave shpinë me kohën 51 sekonda e 91 të qindat, duke lënë pas rivalin kinez Jiayu Xu. Në shkallën më të ulët të podiumit u ngjit amerikani tjetër David Plummer.
Kinezi Yang Sun nuk ka rivalë në 200 metra stil i lirë. Ai regjistroi kohën 1 minutë e 44 sekonda e 65 të qindat, duke lënë pas afrikanojugorin Le Clos me 55 të qindat më shumë. Medaljen e bronztë e fitoi amerikani Conor Dwyer.