Dega e Partisë Demokratike Durrës ka reaguar pas arrestimeve lidhur me tërmetin e 26 nëntorit.
Përmes një deklarate për mediat, kryetari Ferdinant Xhaferaj bën fajtor për masakrën urbane në qytetin bregdetar ish-kryebashkiakun socialist, Vangjush Dako.
“Për më shumë se një dekadë në krye të piramidës së ndërtimeve dhe masakrës urbane në Durrës ka qenë kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Prokuroria ka investiguar për më shumë se dy javë dhe puna e saj, sa intensive aq edhe profesionale, ka rezultuar në ndalimin e cironkave të përgjegjësisë për dramën që po kalon qyteti”, deklaron kreu i PD Durrës.
Përballë kësaj situate, Xheferraj ironizon se Dako është jashtë juridiksionit të Prokurorisë.
“Dako dhe shpura e tij nuk mund të hetohen nga prokuroria sepse Dako është pranë Ramës dhe me Ramën, që nga Durrësi deri në Stamboll. Piramida e krijuar nga Dako firmoste për ndërtimet, shiste beton për ndërtimet, supervizonte ndërtimet, firmoste dhe vuloste për të dhënë financimet. Por Dako është jashtë juridiksionit të prokurorisë, për faktin e thjeshte se është nën juridiksionin e Ramës” përfundon Xhaferraj.