Mbyllet me një fund të lumtur telenovela më e gjatë e merkatos së kësaj vere. Paul Pogba tashmë është zyrtarisht një futbollist i Manchester United. Pas 4 vjetësh “Djaloshi i Artë”, rikthehet në stadiumin ku hodhi hapat e tij të parë si profesionist. Manchester United me një komunikatë në faqen zyrtare bëri të ditur se Pogba është lojtari më i ri i Djajve të Kuq. 105 milionë euro plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh i kushtoi blerja e kartonit të mesfushorit francez klubit nga “Old Trafford”. Pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore, Pogba firmosi një kontratë 5-vjeçare me Djajtë e Kuq nga e cila do të përfitojë rreth 15 milionë euro në sezon, shifra të çmendura këto për një futbollist vetëm 23-vjeçar. Tashmë Jose Mourinho, trajneri i Manchester United, përveç një sulmuesi si Zlatan Ibrahimoviç ka në skuadër edhe një mesfushor si Pogba dhe të tre së bashku do të provojnë të fitojnë Premier Leaguen që në këtë sezon, por mbi të gjitha të rikthejnë Manchesterin në majat e futbollit anglez dhe atij europian.
Gareth Bale është lënë pas sepse me kalimin te United është Paul Pogba blerja më e shtrenjtë e historisë së futbollit. 105 milionë euro që mund të arrijnë në plot 110 për ta shndërruar francezin në transferimin e shekullit. Shumë e bukur edhe komunikata e klubit nga “Old Trafford” ku bëhej i ditur rikthimi i 23-vjeçarit në Manchester. ReUnited, Pogback shkruhej në faqen zyrtare të Djajve të Kuq, një lojë fjalësh në anglisht që në shqip do të thotë u ribashkuam, Pogba është kthyer. Menjëherë pas firmës mbi kontratë ylli francez foli për herë të parë si një lojtar i United, duke shprehur gjithë kënaqësinë e tij që është sërish pjesë e 20 herë kampionëve të Anglisë.
“Jam shumë i lumtur që jam kthyer te Manchester United. Djajtë e Kuq gjithmonë kanë qenë një klub që kanë zënë një vend të veçantë në zemrën time dhe mezi po pres momentin të punoj me Mourinhon. Kam kaluar një periudhë të bukur te Juventusi, kam kujtime fantastike, pasi bëhej fjalë për një klub të madh dhe të gjithë futbollistët që janë pjesë e bardhezinjve i konsideroj miqtë e mi. Megjithatë mendoj se ky ishte momenti i duhur për t’u rikthyer në ‘Old Trafford’”, tha Pogba pasi firmosi me United.
Në anën tjetër, trajneri Jose Mourinho thuri elozhe për lojtarin më të ri të “Djajve”, duke thënë se ai do të jetë kyç në ekipin e Manchesterit për dekadën e ardhshme. “Paul është një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën e United, të cilën dua ta ndërtoj për të ardhmen. Është i shpejtë, i fuqishëm, shënon gola dhe arrin të lexojë lojën më mirë se disa lojtarë që janë më të vjetër se ai. Ai është 23 vjeç dhe ka mundësi që të jetë në zemër të kësaj skuadre për dekadën e ardhshme”, deklaroi “Speciali”.