Basha te Bari, firmos për 2 vite

Migjen Basha është praktikisht një futbollist i Barit. Mesfushori shqiptar ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit nga San Nicola dhe do ta vazhdojë karrierën në Serinë B italiane. Basha, i cili kishte edhe një vit kontratë me skuadrën e Luzernës, është shkëputur përfundimisht nga klubi zviceran dhe ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Barin. Pas 6 muajve ku luajti në formë huazimi te Como, 29-vjeçari i kombëtares kuqezi transferohet në një skuadër më të fortë, që ka si objektiv kryesor ngjitjen në Serinë A italiane. Basha ka kaluar me sukses edhe vizitat mjekësore dhe tashmë mund të konsiderohet si futbollisti më i ri i skuadrës së drejtuar nga trajneri Roberto Stellone.
Bari është skuadra e 8-të italiane në karrierën e deritanishme të 29-vjeçarit shqiptar pas Lucheses, Viareggios, Riminit, Frosinones, Atalantës, Torinos dhe Comos. Basha pëlqehej nga trajneri Stellone dhe projekti i ekipit nga Pulja e bindi për ta vazhduar karrierën te Bari. Me kombëtaren shqiptare Migjen Basha ka zhvilluar deri tani 15 ndeshje teksa ka arritur të realizojë edhe 3 gola. Ai ishte pjesë e kuqezinjve në Euro 2016-të duke u aktivizuar si titullar nga trajneri Gianni de Biasi në fitoren historike që Shqipëria arriti ndaj Rumanisë falë një goli të Armando Sadikut në ndeshjen e saj të fundit në Grupin A.
Ndërkohë, Renato Arapi transferohet në Turqi? Mediat turke bëjnë të ditur se futbollisti në sezonin e ri do të luajë në kategorinë e dytë në këtë vend me skuadrën e Bolusporit, me të cilën sipas tyre ka firmosur një kontratë dyvjeçare. Për momentin ky transferim nuk konfirmohet nga klubi i Partizanit dhe as nga burime pranë lojtarit, ndërkohë që dhe Boluspor nuk e ka bërë zyrtare në faqen e tij në internet. Gjithsesi futbollisti nuk ka qenë në stërvitjen e Partizanit pasditen e djeshme, gjë që nuk hedh poshtë mediat e vendit turk dhe burime jo zyrtare bëjnë gjithashtu të ditur se palët janë në bisedime dhe futbollisti është pranë largimit nga klubi kryeqytetas.
Arapi mbërriti te Partizani vetëm këtë qershor dhe në mesin e muajit korrik pati disa fërkime me klubin, të cilat më datë 17 korrik u duk sikur i shuajti me deklaratën e tij në faqen e klubit se ishte i lumtur te kjo skuadër, por pa kaluar një muaj nga Turqia ka zëra për një tjetër largim të tijin. Sipas mediave në këtë vend, Boluspor ishte në kërkim të një mbrojtësi dhe te Arapi ka gjetur një lojtar ideal duke qenë se evidenton faktin se ka një përvojë të madhe ndërkombëtare dhe ka luajtur gjithashtu dhe në kompeticione europiane, gjë jo e vogël kjo për një skuadër të kategorisë së dytë turke.

Artikulli paraprakPogba, nr. 6 te United
Artikulli tjetërPrezantohet De Boer: Icardi qëndron