Prezantohet De Boer: Icardi qëndron

Te Interi nis një epokë e re, epoka e Frank de Boer. Pasi u zyrtarizua si trajneri i ri i klubit zikaltër mëngjesin e kësaj të marte, holandezi u prezantua përpara mediave si timonieri i ri i skuadrës. De Boer ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me Interin nga e cila do të përfitojë 2 milionë euro në sezonin e parë dhe 3 milionë euro në dy sezonet pasardhëse. Pas 6 viteve si trajner te Ajaxi ku fitoi 4 tituj kampion në Eredivisie, 46-vjeçari nis një aventurë të re, më të rëndësishmen në karrierën e tij. Te Interi De Boer zëvendëson Roberto Mançinin i larguar zyrtarisht paraditen e të hënës. Në konferencën për shtyp ishin të pranishëm edhe disa nga drejtuesit e Interit, duke filluar nga shefi ekzekutiv, Michael Bolingbroke për të vazhduar me drejtorin sportiv Piero Ausilio apo edhe zëvendëspresidentin e klubit Javier Zanetti.
Në prezantimin e De Boer fillimisht fjalën e mori shefi ekzekutiv Bolingbroke, i cili i uroi mirëseardhjen trajnerit holandez duke u shprehur me superlativa për karrierën e deritanishme të De Boer si futbollist, por edhe si trajner. Më pas vëmendja ishte e gjitha për 46-vjeçarin holandez. “Në radhë të parë dua të falënderoj Interin për këtë mundësi, të gjithë personat që janë pjesë e Interit duke filluar nga Zhang Jindong për të vazhduar me Erick Thohir-in, pasi të gjithë flasin të njëjtën gjuhë që flitet te Interi. Për mua është diçka shumë e rëndësishme që të gjithë duan ta çojnë klubin aty ku e meriton. Mezi po pres momentin për të filluar nga puna, jam i emocionuar. Dua të njoh menjëherë të gjithë personat që janë pjesë e Interit. Dy javë janë me të vërtetë pak, por duhet të jemi gati, do të punojmë fort për të arritur objektivat tona”, u shpreh De Boer.
Te Interi Frank de Boer gjen një skuadër të ndërtuar nga një trajner tjetër, pikërisht nga Roberto Mançini, por ky fakt nuk përbën asnjë lloj problemi për holandezin, i cili më pas foli edhe për Mauro Icardin, duke e konsideruar kapitenin si pjesë të rëndësishme të projektit të tij zikaltër.
“Nuk ndodhemi në situatën ideale dhe kjo është mëse e qartë, por kemi në skuadër lojtarë me eksperiencë të madhe mbi supe dhe të rinj premtues dhe kjo është ajo që vlen. Unë do të përpiqem të përcjell te ta idetë e mia, të gjithë mund të mësojnë dhe mund të përshtaten shpejt. Nuk do të ndryshojmë gjithçka, por unë dhe stafi kemi filozofinë tonë. Duhet të besojmë se mund të arrijmë gjëra të mëdha në këtë sezon. Icardi? Ai është i ri dhe mund të mësojë ende shumë gjëra. Deri tani ka treguar se është i aftë të dhurojë paraqitje fantastike, besoj se do të punojmë shumë mirë së bashku dhe nuk do të kemi probleme. Icardi nuk largohet, ai do të qëndrojë te Interi”, tha ai.
De Boer mohoi zërat se përpara pak muajsh ka patur kontakte mes tij dhe drejtuesve të Milanit për të marrë drejtimin e kuqezinjve, ndërkohë që thumboi në njëfarë mënyre menjëherë Juventusin, duke u shprehur se bardhezinjtë nuk janë një skuadër e pathyeshme edhe pse kanë zhvilluar një merkato shumë cilësore.
“Asgjë nuk është e pamundur, askush nuk është i pathyeshëm. Ka raste kur gjërat ndryshojnë. Juventusi është përforcuar, por objektivi ynë është të jemi më pranë tyre se sezonet e kaluara. Do të luftojmë në maksimum për t’ua bërë jetën më të vështirë”, përfundoi trajneri i ri Interit.

Artikulli paraprakBasha te Bari, firmos për 2 vite
Artikulli tjetërEnrique: Kam një sulm luksi