UEFA pritet të ndryshojë rregullat e kualifikimit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve dhe nga 2018 deri të paktën më 2021, katër kampionatet më të mëdha të Europës do të përfaqësohen me numër fiks skuadrash.
Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia do të përfaqësohen me nga katër skuadra duke nisur që nga sezoni 2018-2019 në Ligën e Kampioneve dhe gjithë kjo falë rregullave të reja që njohin “meritën historike” të këtyre kampionateve në këtë kompeticion.
Një tjetër avantazh që u garanton “merita historike” skuadrave të katër kampionateve më të forta të Europës është shmangia e fazës “play off”. Pra, katër skuadra nga këto katër kampionate do të futen direkt në fazën e grupeve.
Në tavolinën e bisedimeve mes “Big”-ëve të Europës dhe UEFA-s propozimi kryesor është ai që 3 skuadra të kualifikohen direkt për në fazën e grupeve dhe e katërta të futet me kriterin e “meritës historike”. UEFA ka bërë një renditje në bazë të këtij kriteri që u garanton skuadrave si Milani, Interi, Chelsea, M. United, Liverpool, Benfica e të tjera që pavarësisht renditjes në kampionatet përkatëse, të marrin pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë.
Kjo është formula që po qarkullon në zyrat e UEFA-s para zgjedhjes së presidentit të ri në zgjedhjet që mbahen më 14 shtator, ndërkohë që për momentin është lënë mënjanë ideja e një Superlige Europiane.
Bajerni, Juventusi, Barcelona, Reali dhe PSG janë mbështetëset më të zjarrta të kësaj ideje, që do të mundësonte një kampionat të mbyllur ose me vende të rezervuara dhe me ngjitje dhe zbritje të kufizuara në sezon në bazë të renditjes.
Propozohet që Superliga Europiane të përbëhet nga 24 skuadrat më të mëdha të Europës, me fazë “play off”, ashtu si NBA në SHBA dhe të luhet edhe në fundjavë. Pra, praktikisht të errësonte ekonomikisht kampionatet kombëtare.
Skuadrat që mbështesin këtë formulë thonë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për ngritjen e saj dhe se rivaliteti do të mundësonte të ardhura më të mëdha në arkat e tyre, sidomos nga të drejtat televizive.
Ideja ka hasur në ngurrimin e anglezëve dhe jo pa shkak. Sot Premier Liga siguron 3.3 miliardë euro në sezon nga të drejtat televizive, një shifër marramendëse që tejkalon me 1 miliard edhe të ardhurat që siguron UEFA nga të drejtat televizive të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës të marra së bashku.