Rama, kullë 30-katëshe në krah të Hotel Tiranës

Planet e Kryeministrit Rama për ta mbushur zonën qendrore të Tiranës me kulla të larta duket se janë më të mëdha se sa është bërë e ditur deri tani. Mbas imponimit në mënyrë të paligjshme të ndërtimit të një kulle 25 kate, si pjesë e stadiumit të ri të futbollit, nën udhëzimin e Kryeministrit po përgatiten projektet për ndërtimin e disa kullave të tjera të larta në pika kyçe të zonës qendrore të Tiranës.
Për këtë qëllim, janë angazhuar 2 studio arkitekture që po zbërthejnë idetë e Kryeministrit për këto kulla, të cilat do të ndërtohen nga disa prej tregtarëve dhe ndërtuesve më të mëdhenj në vend.
Pak ditë më parë u bënë publike tri projektvariante për një kullë mbi 30-katëshe të planifikuar për në terrenin ku sot gjendet këndi i lojërave “7 Xhuxhat”, në Rrugën e Elbasanit.
“Exit” po publikon një projekt të një kulle po mbi 30-katëshe, e cila është planifikuar të ndërtohet në Sheshin “Skënderbej”, në krah të Hotel Tiranës- në imazhin më poshtë. Hotel Tirana (15 kate) është ndërtesa e vogël në krah të djathtë, ndërsa kulla e re është me ngjyrë të verdhë.
Zbulimi i këtij plani hedh më shumë dritë mbi qëllimet e vërteta të Kryeministrit për rindërtimin e Sheshit “Skënderbej”, i cili duket se do të projektohet në shërbim të ndërtimeve të larta tregtare përqark tij.
Dje ne shkruam rreth projektit të parkimit nëntokësor në Sheshin “Skënderbej” që Kryeministri bëri publik po dje. Sot, arsyeshëm mund të mendohet se qëllimi i përfshirjes së papritur të këtij parkimi, të paparashikuar në asnjë plan apo ide të mëparshme për sheshin, është pikërisht të ndërtojë infrastrukturën ndihmëse dhe për rrjedhojë, të rrisë vlerën e tregut të ndërtimeve të larta që Kryeministri ka planifikuar përreth Sheshit “Skënderbej”.
Projekt-kulla në krah të Hotel Tiranës përforcon idenë se Kryeministri Rama ka vendosur që, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, të çojë përpara idetë e planit të qendrës së Tiranës hartuar nga studioja franceze “Achitechts Studio”, i njohur si plani francez.
Plani francez parashihte 10 kulla të larta- mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25-katëshe -të cilat do të vendoseshin përqark Sheshit “Skënderbej” dhe anash aksit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Plani francez u miratua në vitin 2010, por zbatimi i tij u ndërpre nga humbja e Bashkisë nga zoti Rama. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, zoti Rama ka rinisur përpjekjet për ndërtimin e kullave të larta që kishte dëshiruar që në krye të herës.
Duket se pushteti gati absolut si Kryeministër, ka rritur ambiciet e zotit Rama, pasi planet e tij për ndërtime të larta dhe “zhvillim” përmes betonizimit tashmë përfshijnë ide dhe vende të konsideruara tabu nga të gjithë, përfshi edhe arkitektët më ambiciozë, të tilla si Parku i Liqenit, pjesën anash korpusit universitar, stadiumin “Qemal Stafa”, etj.
Duke qenë se qasja e Kryeministrit Rama është si përherë klienteliste, projektet e tij të fundit janë shkatërruese për qytetin, pasi ato nuk janë projektuar në mënyrë të harmonizuar dhe integrale- por janë, kryesisht, produkt i interesave të klientëve të Kryeministrit dhe të fantazisë momentale “artistike-arkitekturore” të tij për jetëzimin e këtyre interesave.

Artikulli paraprakMaskat grabisin 15 milionë dhe një makinë në Shëngjin
Artikulli tjetërShtatë drejtuesit e policisë në shërbim të baronëve të drogës