Basha mesazh Edi Ramës: I ke bërë llogaritë gabim! Askush nuk do të na e mbyllë gojën!

• Duke dënuar me burg opozitën dhe duke i mbyllur gojën medias, Edi Rama i ndihmuar nga krimi i organizuar, ka hedhur sot në erë dy kolonat kryesore të demokracisë në Shqipëri 

• Gjyqtari Artan Gjermeni, i cili dënoi sot pa prova Ervin Salianjin dhe gazetarin Jetmir Olldashi është as më pak e as më shumë, anëtar i bandës së Lushnjës, e cila ka nisur të gjallërohet sërish nën pushtetin e Edi Ramës

• PD gëzon besimin e shumicës së shqiptarëve. Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh

• Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar

• Mesazhi për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim!

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës. Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën.

Të dy këto vendime, që minojnë demokracinë dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri, Edi Rama i merr sot, i ndihmuar nga krimi i organizuar. Me krimin e organizuar ai vodhi dhe bleu votat e shqiptarëve për të sunduar në parlamentin ilegjitim. Me krimin e organizuar, Edi Rama sundon drejtësinë.

Gjyqtari Artan Gjermeni, i cili dënoi sot pa prova Ervin Salianjin dhe gazetarin Jetmir Olldashi është as më pak e as më shumë, anëtar i bandës së Lushnjës, e cila ka nisur të gjallërohet sërish nën pushtetin e Edi Ramës.

Për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht, nuk ka asnjë dyshim se ushtari i bandës së Lushnjës e kishte marrë prej kohësh vendimin politik që Edi Rama e shpalli prej ditës së parë të publikimit të skandalit Xhafaj. Për ne nuk ka asnjë surprizë për hakmarrjen e Edi Ramës ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi që ekspozuan qeverinë e tij si të përfshirë direkt në trafikun e drogës.

Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhërit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar.

A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo! Dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë!

Ne jemi Partia Demokratike! Ne jemi sot partia që gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh.

Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës, familjes apo qeverisë së tij me krimin e organizuar.
Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim!

Artikulli paraprakSalianji dhe gazetari Olldashi nuk u dënuan nga drejtësia, por nga anëtari i bandës së Lushnjes, Artan Gjermeni
Artikulli tjetërBasha: Edi Rama minoi dy kolonat kryesore të demokracisë…