Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, e shfrytëzoi një konferencë islamike në Malajzi për t’iu bërë thirrje vendeve myslimane që të thellojnë bashkëpunimin, në mënyrë që t’i kundërvihen, siç tha, “hegjemonisë” së Shteteve të Bashkuara.
Duke folur në konferencën në Kuala Lampur, Rohani tha se SHBA-ja po i përdor sanksionet ekonomike si “mjet kryesor të hegjemonisë sunduese”.
SHBA-ja i ka vënë sanksione të ashpra Iranit prejse është tërhequr nga marrëveshja bërthamore midis Republikës Islamike dhe fuqive botërore, vitin e kaluar. Sipas Uashingtonit, kushtet e marrëveshjes nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.
Irani këmbëngul se aktiviteti i tij bërthamor ka qëllime paqësore. “Bota myslimane duhet të shpëtohet nga sundimi i dollarit amerikan dhe regjimi financiar amerikan”, tha Rohani, duke kërkuar një bashkëpunim më të thellë financiar dhe tregtar midis vendeve islamike.
Prejse SHBA-ja ka rikthyer sanksionet kundër Iranit, ky i fundit është tërhequr po ashtu nga disa angazhime të parapara me marrëveshjen e vitit 2015. Palët e tjera nënshkruese të kësaj marrëveshjeje – Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia – kanë bërë thirrje për ruajtjen e saj.