Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, për të hetuar dhe verifikuar akuzat e ngritura së fundmi ndaj kryeministrit Edi Rama, sipas të cilave në vitin 1994 ka qenë i ndaluar nga autoritetet franceze për trafik ikonash.
Përmes një statusi në “Facebook”, Manjani kërkon që Rama të sqarojë këtë çështje, si dhe rolin e përgjegjësinë e tij në financimin e fushatës së Obamës.
Ish-ministri thekson se kjo gjë duhet të sqarohet ashtu si për të gjithë të tjerët që ishin subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit, i cili nxorri jashtë nga politika disa deputetë dhe kryebashkiakë të zgjedhur nga vetë Rama.
Statusi i plotë i Manjanit
Që të sqarohet njëherë e mirë publiku, Prokuroria e Përgjthshme duhet të verifikojë lajmin-akuzë të bërë nga disa persona, sipas rë cilëve “Edvin Rama në vitin 1994 ka qënë i ndaluar nga Policia Franceze për trafik ikonash”.
Është e vërtetë apo jo?!
Natyrisht kjo nuk pritet të sqarohet nga vetë Rama, por si për të gjithë të tjerët subjekt i ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme duhet të bëjë verifikimet e rastit. Ka qenë apo jo i ndaluar nga policia Franceze? Vetëm kaq! Nuk besoj të ketë bërë trafik ikonash sepse nuk do ta kishin lëshuar…
Pa dyshim e mira do ishte të sqarohej roli dhe përgjegjësia e shtetasit Edi Rama në financimin e fushatës së Obamës. Por le të sqarojë si fillim lajmin mbi ndalimin në Francë, se këtë të Amerikës e qëndisin vetë Amerikanët…
Kjo është e vetmja rrugë që e ndan shpifjen nga e vërteta.
Të tjerat janë dëngla.