Hetimet paraprake kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me krimin e rëndë të ndodhur në Patos.
Dy persona u vranë me armë zjarri brenda Poliklinikës së Patosit, ndërsa autori u kap duke ikur me vrap.
Ka qenë një gardian i burgut të Fierit që ka qëlluar me armën e shërbimit, duke lënë të vdekur dy të rinj.
Krimi ndodhi në orën 12 e 20 minuta kur, 22-vjeçari Martin Skëndaj, qëlloi me pistoletë moshatarin e tij Elis Kapaj, i cili humbi jetën në vend nga plagët e marra. I plagosur mbeti Manol Rrapaj 26-vjeç, por edhe ai ndërroi jetë më pas në spital.
Viktimat janë nga Patosi, banues në fshatrat Kashisht dhe Kuçar. Sipas hetimeve paraprake dyshohet që 2 të rinjtë të jenë përfshirë kohë më parë në një konflikt për një vajzë me Skëndajn, ndërsa mesditën e së enjtes janë përballur rastësisht në ambientet e poliklinikës së Patosit.
Fillimisht janë konfliktuar fizikisht dhe më pas autori ka qëlluar me armë duke ekzekutuar dy të rinjtë. 22-vjeçari Skëndaj tentoi të largohej pas krimit, por përfundoi në prangat e policisë.
Njoftimi i policisë
Sot rreth orës 12:20, në ambientet e poliklinikës së Patosit si pasojë e një konflikti, shtetasi Martin Skëndaj ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur një shtetas i vrarë dhe një i plagosur.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të policisë, është bërë e mundur kapja e autorit dhe sekuestrimin i armës së zjarrit.
Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.