Marko Pjaca, një nga blerjet më të rëndësishme të Juventusit në këtë merkato verore, u prezantua zyrtarisht nga drejtori Sportiv, Beppe Marotta në një konferencë për shtyp, ku talenti kroat shpjegoi arsyet pse kishte vendosur të pranonte ofertën e bardhezinjve.
“Erdha te Juventusi sepse besoj se është një skuadër e shkëlqyer dhe me një histori të gjatë suksesesh. Shpresoj që të përmirësohem ditë pas dite e ndeshje pas ndeshje për të ndihmuar skuadrën që të arrijë objektivat vitet e ardhshme. Arsyeja kryesore që zgjodha Juven është fakti se më jep mundësi të luaj në Champions”, u shpreh Pjaca.
21-vjeçari, një lojtar polivalent, u premton drejtuesve dhe tifozëve bardhezinj se nuk do të pendohen për investimin që kanë bërë për të. “Te Dinamo e Zagrebit luaja në të majtë, por gjatë karrierës sime jam aktivizuar edhe si mesfushor qendre. Mund të luaj në çdo pozicion të mesfushës, varet nga zgjedhjet e trajnerit. Unë dua që të bëhem më i miri dhe t’i tregoj shoqërisë se kanë bërë një investim të mirë me mua”, tha ai.
Pjaca ëshë nga ata futbollistë që i pëlqen dhe të dhurojë spektakël dhe si adhurues i lojës së bukur idhull ka Ronaldinhon. “Kam zgjedhur numrin 20 sepse këtë numër mbaja edhe kur luaja me Dinamon dhe nuk doja ta ndryshoja. Kam folur me Mandzukiç, i cili ka ndikuar në zgjedhjen time. Në fakt nuk kisha asnjë dyshim, vendosa me zemër, duke refuzuar më shumë para”, përfundoi ai.