E-mail-et e reja dhe fondacioni “Klinton”

Një seri e re e-mail-esh të Departamentit amerikan të Shtetit nga ditët e hershme të zonjës Hillary Klinton si sekretare e Shtetit në vitin 2009, flet për lidhje të ngushta midis DASH-it dhe fondacionit të bamirësisë “Klinton” që ajo themeloi me bashkëshortin e saj, ish-Presidentin Bill Klinton.
Zonja Klinton, e cila tani është kandidate demokrate për Presidente dhe kryeson në garën me republikanin Donald Trump, ka mohuar prej kohësh që donatorët e fondacionit, i cili financon programe humanitare në të gjithë globin, kanë pasur qasje dhe ndikim të veçantë në Departamentin e Shtetit, gjatë qëndrimit të saj atje nga viti 2009 deri më 2013.
Komunikimet elektronike në fjalë, që u publikuan të martën nga Judicial Watch, një organizatë konservatore, e cila shpesh është përplasur me zonjën Klinton, tregojnë shkëmbime e-mail-esh mes ndihmësve të saj dhe zyrtarëve të fondacionit.
Në një rast, Doug Band, ekzekutiv i fondacionit, i dërgoi e-mail-e ndihmësve të zonjës Klinton, Huma Abedin dhe Cheryl Mills, duke kërkuar ndihmë për të lidhur miliarderin libanezo-nigerian Gilbert Chagoury, donator i rëndësishëm i fondacionit me dikë në Departamentin e Shtetit, për të diskutuar rreth interesave të tij në Liban.
Zoti Band i kërkoi zonjës Abedin t’i telefononte zotit Chagoury menjëherë, nëse ishte e mundur. “Është shumë e rëndësishme”, shkruante Band.
Në një tjetër e-mail, zoti Band lobonte pranë ndihmësve të zonjës Klinton për një vend pune në Departamentin e Shtetit për dikë tjetër. Zonja Abedin përgjigjej: “Personeli i ka dërguar atij mundësi (për vende pune)”.

Artikulli paraprakÇfarë do të bëjë NATO për lidhjen turko-ruse?
Artikulli tjetërKomentet e Trump për armët alarmojnë Shërbimin Sekret