Kush është njeriu i Ramës që kryeson listën për Inspektor Drejtësie

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar sot listën përfundimtare të kandidatëve për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Siç edhe bëhet e ditur në mbledhjen e sotme është emëruar lista përfundimtare dhe në vendin e parë, ashtu edhe siç pritej është vendosi i përfoluri Artur Metani, aktualisht Avokat i Shtetit. Kjo nuk përbën asnjë surprizë nga lista që pritej, pasi dihej se Rama do të vendoste njëriun e tij..

Edhe pse në shkelje të ligjeve, pasi Metani ka mbajtur poste politikë në 15 vitet e fundit, sërish KED e drejtuar nga Ardian Dvorani ka vendosur që të rëndisë të parin në listën e kandidatëve të preferuarin e qeverisë.

Njoftim për median nga KED

Në zbatim të nenit 147/d pika 4 dhe nenit 149/d pika 1 të Kushtetutës, të nenit 199 pika 2, nenit 201 pika 2, nenit 239 dhe nenit 240 të ligjit nr.115/2016, si edhe të dispozitave të aktit nënligjor normativ Vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nr. 5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”,

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e tij të datës 23.12.2019, sipas rendit të përcaktuar të ditës, vendosi:

  1. Të miratojë listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në datën 01.03.2019 dhe rishpallur për plotësimin e kandidaturave në datën 09.09.2019.
  2. Të miratojë raportin për renditjen e kandidatëve të lejuar për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në datën 01.03.2019 dhe rishpallur për plotësimin e kandidaturave në datën 09.09.2019.

Lista do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, brenda tre ditëve, sipas parashikimeve të nenit 200 shkronja “ë” të ligjit nr. 115/2016.

Lista përfundimtare e renditjes:

  1. Artur Metani 89.6 Pikë
  2. Sokol Stojani 89 Pikë
  3. Joana Asimi Sorraj 82.2 Pikë
  4. Eris Hysi 78.3 Pikë
  5. Lindita Troja 63.4 Pikë

Pse kandidimi i Metanit është në kundërshtim me ligjin

Artur Metani është në kushtet e ndalimit ligjor për kandidimin për postin e Kryeinspektorit të Drejtësisë, referuar legjislacionit në fuqi në kohën kur Metani ka qenë këshilltar në institucionin e Presidentit, si edhe paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, të miratuar pas vitit 2016.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, pika 3, parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.

Po ashtu, ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 199/pika 1/dh, parashikon se: “Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte:

dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;

Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Në bazë të biografisë profesionale të tij, rezulton se ai ka qenë në funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012.

Pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike. Përcaktimi i saktë për përfshirjen e “këshilltarit” në “funksione politike” jepet në nenin 3 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Ligji i Vetingut).

Argumenta të ngjashëm ligjorë janë përdorur edhe nga anëtaret e pakicës, Buhali e Marku, për të kundërshtuar lejimin e kandidimit të Metanit.

Këtë qëndrim ka mbajtur edhe institucioni i Presidencës, i cili, në një përgjigje zyrtare për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, e konsideron “këshilltarin e Presidentit” si “funksion politik”.

Artikulli paraprakMini-Shengeni Ballkanik/ Lubonja: Nuk është hera e parë që Rama bën veprime që janë në dëm të shqiptarëve!
Artikulli tjetërFlet Zëvendësdekani i shkarkuar: Më ktheu nga rruga, mbërrita në zyrën e tij dhe…