Tjetër medalje e artë për Kinën në Rio 2016

Tjetër medalje e artë për Kinën në peshëngritje. 24-vjeçarja Xiang Yanmei ishte sërish e paaritshme në kategorinë 69 kg për femra pasi ngriti 261 kilogramë në total, duke marrë të parën medalje të artë, pasi ishte shpallur dy herë kampione bote më 2015 në Houston dhe më 2013. Kinezia i la sërish etiketën e të dytës së përhershme rivales së saj kryesore, kazakes Zhazira Zhaparkul.
22-vjeçarja pas 33 medaljeve të argjendta në Houston edhe këtë herë nuk mund të parakalonte rivalen e saj kineze duke u renditur e dyta me një tjetër medalje të argjendtë me 259 kg në dygarësh, dy më pak se Xiangmei. Mjaft interesante ishte dhe gara për medaljen e bronzit, e cila u fitua nga egjiptiania Sara Ahmed, e cila duke ngritur 255 kg në dygarësh zuri shkallën më të ulët të podit duke lënë jashtë tij kolumbianen Leidy Solis, një peshëngritëse mjaft dinamike, por e cila u penalizua nga tentativa e saj e tretë në shtytje, ku nuk mundi të ngrejë me sukses 146 kg, ndërsa egjiptiania nga ana e saj i gëzohet një triumfi mëse të merituar, pasi ishte e vetmja peshëngritëse që realizoi të 6 provat me sukses, si në shkëputje edhe në shtytje. Në Riocentre në garën e baterisë A 69 kilogram për femra kishte vend edhe për një histori jetësore të jashtëzakonshme. Ajo ka të bëjë me armenen Nazik Avdalyan. 30-vjeçarja u kthye në arenën ndërkombëtare më 2015 dhe bëri debutimin olimpik në Rio ku u rendit në vendin e 5 me 242 kilogram në total.

Artikulli paraprakRio 2016, Australia tremb SHBA
Artikulli tjetërNot, medalje të arta për Chalmers, Baladin e Belmonte