“Torta” e Rilindjes, 360 milionë euro për pllaka dhe gurë!

Programi i Rilindjes Urbane, simbolikë kryesore e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama zbulohet në detaje përmes të dhënave mbi kostot, kompanitë fituese dhe ndarjen e fondeve mes bashkive në databazën e publikuar nga BIRN.

Nga Gjergj Erebara 

Në vitin 2014, kryeministri Edi Rama shpalli atë që e quajti Program Kombëtar për Rilindjen Urbane. Në fund të atij viti, buxheti i shtetit mbajti një shënim të vogël: Fondi i Zhvillimit Rajonal, 12.5 miliardë lekë [100 milionë euro].

Sipas ligjit të buxhetit, kjo shumë i vihej në dispozicion një organi të quajtur Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, i cili drejtohet nga kryeministri. Pesë vjet më vonë, shpenzimet totale të buxhetit të shtetit për këtë fond kanë arritur në rreth 360 milionë euro, ndërsa investime të tjera vijojnë.

Për të zbardhur historinë e këtij programi masiv që është bërë simbolikë e mazhorancës së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, BIRN grumbulloi të dhënat e disponueshme nga databazat publike si dhe dërgoi qindra kërkesa për të drejtë informimi në të gjitha institucionet përkatëse, për të kërkuar kontratat dhe dokumente të tjera të lidhura me projektet.

2 79

Në fund të kësaj procedure, një databazë u krijua në adresën rilindjaurbane.reporter.al, në të cilën gjenden të dhënat dhe dokumentet e mbi 573 projekteve, përfshirë kostot e çdo projekti, kontratat e punimeve apo mbikëqyrjes, aktet e kolaudimit, të plotësuara në shumicën dërrmuese të rasteve me fotografi të realizuara nga një rrjet i gazetarëve vendorë në të gjithë Shqipërinë.

Në databazë gjendet pjesa dërrmuese e projekteve të Rilindjes Urbane me përjashtim të një pjese të vogël, të dhënat e së cilave nuk u siguruan dot në kohë.

Drejtoresha e BIRN Albania, Kristina Voko tha se krijimi i databazës synon t’u mundësojë qytetarëve informimin mbi investimet publike.

“Ajo u mundëson qytetarëve që të informohen mbi investimet publike të kryera në zonat e tyre, kostot e këtyre punimeve dhe kompanitë zbatuese, në mënyrë që të jenë në gjendje të vlerësojnë siç duhet të mirat dhe problematikat që mund të kenë sjellë këto projekte,” tha Voko.

Databaza mund të ndihmojë gjithashtu edhe studiuesit, gazetarët apo studentët për të bërë analiza më të thelluara mbi të dhënat, të cilat janë publikuar sipas licencës Creative Commons Attribution 4.0, e cila lejon kopjimin, shpërndarjen dhe përpunimin e materialeve.

“Torta” e Rilindjes

3 58

Mbi 330 kompani shqiptare rezultojnë se kanë fituar kontrata të prokurimit publik nga torta e madhe e Rilindjes Urbane. Nga këto, 19 kanë fituar kontrata me vlerë zero lekë, ndërsa 50 të tjera kanë fituar në total kontrata me vlerë më të ulët se sa 10 mijë euro.

Kompani që fitojnë prokurime publike me ofertë zero lekë ishte risia që zbuloi BIRN gjatë procesit të gjatë të grumbullimit të të dhënave. Bëhet fjalë për kompani mbikëqyrëse punimesh të cilat në mënyrë të pashpjeguar kanë vendosur të kryejnë punë pa pagesë.

Pjesa e luanit i përket 10 kompanive të mëdha, të cilat kanë fituar së bashku 122 milionë euro nga projektet e përfshira në databazë ose 33% të fondit total prej 360 milionë eurosh.

Nga të dhënat rezulton se përfituesit më të mëdhenj janë bashkitë Tiranë, Korçë, Fier dhe Durrës, të cilat kanë përfituar së bashku 30% të të gjitha fondeve të përshkruara në databazë. Në të kundërt, Shkodra është përfituesja numër 44 për nga madhësia duke përfituar vetëm 0.5% të fondit, krahasimisht në të njëjtat nivele me bashkitë e vogla si Poliçani, Çorovoda apo Prrenjasi. Po kështu, Bashkia Kamëz, e cila ka mbi 100 mijë banorë, rezulton se nuk ka përfituar asnjë fond nga programi.

Databaza ndihmon për të dalluar edhe fituesit më të mëdhenj të kontratave publike të këtij programi. Kompania G.P.G është fituesja më e madhe me 28.6 milionë euro, pasuar nga Fusha me 22.3 milionë dhe Salillari me 22.3 milionë. Lista pasohet nga kompania “Vëllezërit Hysa” me 11.2 milionë dhe “Agbes Construcion” me 8.5 milionë.

Disa nga këto kompani janë të njohura për publikun jo vetëm për aktivitetin e tyre si kontraktorë të punëve publike.  Në shtator të këtij viti, Paqsor Buzi, aksioner i G.P.G.-së, u arrestua nga policia si pjesë e një skeme të dyshuar mashtrimi me TVSH-në, ndërsa gjykata e la në arrest shtëpie.

Kompania Fusha njihet si kompania së cilës kryeministri i kërkoi propozim të pakërkuar ndërtimin e Teatrit Kombëtar, një projekt kontrovers që përfshin shkatërrimin e teatrit ekzistues, të cilin shumë e konsiderojnë si ndërtesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit, dhe dhënien e disa mijëra metrave katrorë tokë publike për ndërtimin e disa pallateve me sipërfaqe të përgjithshme prej 90 mijë metrash katrorë.

Administratorët e kompanisë Vëllezërit Hysa përfunduan në pranga në shkurt 2019 për rrugën Elbasan – Gjinar dhe u liruan më pas nga gjykata. Procesi ndaj tyre nuk ka përfunduar ende.

Impaktet e Rilindjes

4 42

Projekti i Rilindjes Urbane nuk është i pari i këtij lloji për qeveritë e Shqipërisë. Në vitin 2011, qeveria e atëhershme krijoi Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, në të cilin, njësoj si me këtë program, qeveria qendrore vendoste të financonte projekte të ndryshme, më së shumti rrugë vendore apo ujësjellësa, të cilat në shumë raste mbetën gjysmë të përfunduara.

Disa nga investimet e Rilindjes Urbane konsiderohen të rëndësishme dhe efikase, ndërsa shumë të tjera janë kritikuar për dëmtim të trashëgimisë kulturore e historike, për punë me cilësi të dobët apo për shkelje ligjore në fushën e prokurimeve publike.

Sipas Afrim Krasniqit, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, “mazhoranca e përdori Rilindjen Urbane për të krijuar me sukses avantazhe në zgjedhjet parlamentare 2017 dhe lokale 2019.”

Ndërsa Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës ekonomike “Monitor” tha se programi, ndonëse në shumë raste ishte i vlefshëm për të rinovuar qytete apo qyteza të lëna pas dore prej dekadash, në shumë raste të tjera u krye në një farë modeli investimi për efekt vizual pa ndonjë përfitim praktik.

“Unë mendoj se është si të lyesh shtëpinë me bojë të shndritshme, ndërkohë që të pikon çatia,” komentoi Liperi.

“Pavarësisht se shumë qytete kishin të nevojshme investime për sistemim, nga pikëpamja e eficencës ekonomike, nuk ishte pozitive përqendrimi i projekteve vetëm në bojatisje e rregullime të jashtme,” tha ajo.

BIRN kreu një seri me reportazhe në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor të këtij viti për të pyetur qytetarët se çfarë mendonin për investimet e qeverisë në “rilindjen urbane”. Përgjigjet duket se varionin nga lavdërime për zhvillime shumë pozitive tek kritika për çuarje të parave dëm.

Në Korçë, bashkia që ka përfituar më shumë fonde nga të gjitha me përjashtim të Tiranës, qytetarët janë shprehur të kënaqur, ndonëse sugjerojnë se problemi kryesor i qytetit vijon të mbetet mungesa e vendeve të punës.

Përkundër kësaj, në Kukës ka ankesa se një projekt i ngjashëm ka shkaktuar më shumë telashe se sa ka sjellë të mira, ndërsa në Belsh, ku fondet e Rilindjes Urbane krijuan një shesh dhe objekte të tjera, Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti parregullsi në procesin e tenderimit.

Pavarësisht opinioneve të ndryshme, Krasniqi mendon se qeveria duket se ka qenë e suksesshme në pikëpamjen elektorale nga këto investime.

“Anketimet tregojnë se impakti elektoral është i ndjeshëm, sidomos në qytetet e vogla, ku ndryshimi i tyre shoqërohet me krijimin  e imazhit të ndryshimit, – një sinjal me rëndësi për votuesit e pavendosur dhe ata të rinj,” thotë Krasniqi.

Por përveç politikës së bindjes së votuesve përmes ekspozimit të syve të tyre ndaj projekteve rinovuese të punëve publike, Krasniqi vëren edhe përdorimin e kësaj skeme për krijimin e klientelës politike vendase.

“Një nga impaktet [e programit] lidhet me krijim klientele politike përmes kontratave të centralizuara me bizneset lokale, duke zgjeruar kështu bazën e mbështetjes me donatorë e infrastrukturë në zgjedhjet parlamentare e lokale,” tha Krasniqi.

/BIRN

1 90

Artikulli paraprakGoditje për Xho Bajden, ekspertë dhe ish-zyrtarë të administratës Obama nuk e mbështesin
Artikulli tjetërKlonimi i Akademisë si fundosje politike e saj