Në Argjentinë të gjithë besojnë se Lionel Mesi do të rikthehet në kombëtare me përjashtim të Diego Armando Maradonës. Trajneri i ri i La Selecion, Edgardo Bauza udhëtoi drejt Barcelonës së fundmi vetëm e vetëm për t’u takuar me yllin e Barcelonës dhe për ta bindur 5 herë fituesin e Topit të Artë të rishohë vendimin e tij për t’u tërhequr nga ekipi i përfaqësueses. Krerët më të lartë të Federatës argjentinase të Futbollit kanë bindjen se Mesi do të vazhdojë të luajë për kombëtaren albiceleste, por për të frenuar disi entuziazmin e tyre ka menduar një legjendë si Diego Armando Maradona, i cili përveç se ka sulmuar drejtuesit e AFAS, ka deklaruar me sigurinë më të madhe se Leo nuk do të rikthehet në ekipin përfaqësues. “Unë mendoj se Mesi do t’i thotë jo Bauzas për të veshur sërish fanellën e Argjentinës, normalisht ky është një opinion i imi dhe ndoshta gabohem”, theksoi Maradona në një intervistë për mediat.
El Pibe D’Oro e ka ndjekur me vëmendje paraqitjen e përfaqësueses albiceleste në Lojërat Olimpike të Rios dhe nuk e ka përtypur aspak mirë eliminimin e skuadrës olimpike të Argjentinës që në fazën e grupeve. “Nuk po notojmë në ujëra të mira dhe rrezikojmë që të mos kualifikohemi as në Botërorin e ardhshëm edhe pse dua t’i uroj shumë fat trajnerit të ri Edgardo Bauza. Në lojërat olimpike u eliminuam nga Hondurasi, një vend që e respektoj shumë, por të them të drejtën ata dinë të luajnë bejzboll sepse nga futbolli nuk dinë gjë fare”, deklaroi ish-lojtari i Napolit. Në fund një thumb për federatën argjentinase dhe për ish-presidentin Julio Grondona: “Nuk kam parë kurrë një federatë kaq të dobët, me këta drejtues marrëveshjet ndryshojnë në mënyrë radikale nga mbrëmja në mëngjes. Përsa i përket Grondonës jam gati ta hedh në gjyq për paratë e shumta që ka vjedhur”, nënvizoi Diego Armando Maradona.
Argjentinasit nuk heqin dorë nga Lionel Mesi, madje e dëshirojnë kaq shumë rikthimin e tij në kombëtare sa vetë trajneri i ri i La Seleccion udhëtoi këtë të martë në Barcelonë për të bindur yllin e futbollit botëror të rikthehet me përfaqësuesen. Edgardo Bauza u filmua nga mediat në momentin e mbërritjes së tij në Barcelonë dhe pranoi se qëllimi i vizitës së tij është takimi me Mesin dhe dëshira për të kuptuar arsyet që e çuan lojtarin të heqë dorë nga përfaqësimi me kombëtaren. “Nuk kam ardhur për të bindur Mesin, por për të biseduar me të për futbollin, për arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi. Unë dëshiroj t’i tregoj atij idetë e mia dhe shpresoj që ai të rishikojë vendimin e tij. Nuk do të përpiqem ta bind, pasi do të jetë një bisedë e hapur”, tha Bauza.
Mesi deklaroi largimin nga përfaqësuesja e Argjentinës më 26 qershor pas humbjes në finalen e Kupës së Amerikës me Kilin, ndërkohë që Bauza u emërua në krye të La Seleccion më datë 1 gusht pas dorëheqjes së Gerardo Martinos.