Njerëzit në kishat dhe katedralet në të gjithë vendin këtë krishtlindje që vjen pas tërmetit të 26 nëntorit ishin më të shumtë dhe mesazhet e klerikëve ishin të forta drejt autoriteteve të vendit. Ipeshkvi i Lezhës tha se Tërmeti zbuloi varfërinë dhe korrupsionin, ndërsa Arqipeshvki i Shkodrës theksoi se shqiptarët po humbin shpresën, ndaj kërkuan reagim.
Me kujtimet dhe pasojat e tërmetit të 26 nëntorit ende të freskëta, banorët e zonave më të prekura e kërkojnë shpresën dhe qetësinë në Shtëpinë e Zotit.
Katedralja e Lezhës, një prej qarqeve më të prekura nuk kishte vend për të gjithë në meshën e mesnatës.
Para mijëra besimtarëve, klerikët katolikë fshikulluan natën e krishtlindjes, autoritetet e shtetit.
I ashpër ishte Ipeshkvi i Lezhës, i cili tha se se tërmeti i 26 nëntorit zbuloi Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit.
“Është detyra e njeriut veçanërisht e atyre që kanë përgjegjësi publike të kujdesen për të në të gjithë përmasën e tij. Këto fjalë marrin peshe të veçantë veçanërisht pas asaj që ndodhi për shkak të tërmetit që solli vdekje dhe shkatërrim. Një tërmet që ka zbuluar Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit sepse kaq shumë vdekje dhe shkatërrim nuk do të kishte nëse ndërtesat e shembura do të ishin ndërtuar, duke ndjekur parametrat e sigurisë.
Këtu mbizotëron interesi personal, korrupsioni dhe sjellja e paligjshme që rrezikon jetën e njerëzve. Shpresoj që kjo krishtlindje të zgjojë ndërgjegjen e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha të kërkojnë falje ato që shkaktojnë këto fatkeqësi sepse janë të korruptuar dhe nuk interesohen për të mirën e njerëzve” tha Vitale
Për Arqipeshvin e dioqezës Shkodër-Pult Imzot Angelo Massafra drama është se shumica e shqiptarëve kanë humbur shpresën dhe po lënë vendin.
“Jam i bindur se pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë humbur shpresën. Shumë janë duke braktisur Shqipërinë, me inatin ndaj atdheut mund të themi”
Duke vënë gishtin mbi plagët e shoqërisë, nga dhuna në familje deri tek korrupsioni, Kisha Katolike kërkoi angazhimin e të gjithëve për të luftuar fenomenet negative dhe për të rikthyer shpresën.
“Kush ka më shumë përgjegjësi atij i kërkohet më shumë”
Mijëra besimtarë në të gjithë vendin mbushën në mesnatë kishat katolike, dhe ato ortodokse në orët e para të mëngjesit.
Prej aty uruan dhe u lutën për ditë më të paqta dhe të lumtura! /OraTv