Asnjë ndryshim pozicioni për kombëtaren shqiptare të futbollit në renditjen e re të publikuar nga FIFA. Edhe në klasfikimin e muajit gusht, kuqezinjtë e Gianni de Biasit vazhdojnë të mbajnë vendin e 37-të në botë në kuotën e 739 pikëve. Shumë pak kombëtare kanë arritur të fitojnë pozicione ose të humbasin ndonjë vend në renditje në këtë klasifikim të ri të publikuar nga qeveria e futbollit botëror, kjo për vetë faktin se shumica e ekipeve përfaqësuese nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare apo miqësore që pas përfundimit të Euro 2016. Kombëtarja shqiptare në klasifikimin e FIFA-s për muajin gusht lë pas përfaqësuese të tilla si Rusia, Irani, Suedia e Senegali e Paraguai, ndërsa përpara në renditje ka kombëtare si Republika Çeke, Gana apo Bregu i Fildishtë.
Dy impenjimet e radhës për kombëtaren kuqezi janë ato ndaj Marokut dhe Maqedonisë. Miqësorja ndaj përfaqësueses afrikane do të zhvillohet në datën 31 gusht në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa sfida eliminatore për kualifikueset e Botërorit Rusi 2018, 5 ditë më pas në të njëjtin stadium. Përsa i përket kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin G të eliminatoreve të Kupës së Botës, Spanja pozicionohet në vendin e 8-të në renditjen e FIFA-s, Italia në vendin e 10-të, Izraeli shumë më poshtë se kuqezinjtë në vendin e 76-të, Maqedonia e 138-ta ndërsa Lihtenshtejni i 182-ti. Klasifikimi vazhdon të kryesohet nga Argjentina e ndjekur nga Belgjika dhe Kolumbia, ndërkohë përfaqësuesja e Kosovës që së fundmi është bërë pjesë e FIFA-s pozicionohet në vendin e 190 me 66 pikë të grumbulluara.