Një i ri rreth 20 vjeç nga Librazhdi është vrarë me një plumb në kokë në Vlorë. Trupi i pajetë i të riut është gjetur nga banorët në fshatin Vranisht të Vlorës mbrëmjen e të mërkurës. Banorët kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe më pas viktima është dërguar në Spitalin e Vlorës i pajetë rreth orës 20:30. Policia e ka mbajtur të fshehtë këtë ngjarje dhe pas publikimit të lajmit në mediat online ka dhënë një njoftim ditën e djeshme rreth orës 11:00, duke deklaruar se, bëhet fjalë për një person të ri, por që ende nuk është identifikuar. Gjithashtu, Policia e Vlorës tha se, ai është qëlluar me plumb në kokë, megjithatë është autopsia ajo që do të zbulojë shkakun e vdekjes. Sipas policisë, bëhet fjalë se ekzekutimi ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës.
Dje pasdite Policia e Vlorës bëri të ditur se ka zbuluar identitetin e të riut, që u gjet i vrarë me një plumb në kokë dhe deklaroi se pistat kryesore të hetimit dyshohen “Vetëvrasja” ose “Vrasja nga pakujdesia”. Sipas policisë, ai është Endri Kosteja, 20 vjeç, banues në fshatin Dorëz të Librazhdit. Sipas policisë, 20-vjeçari punonte si çoban në stanin e 74-vjeçarit, Sheref Lelaj, banues në fshatin Mesaplik të Vlorës. Policia bëri të ditur se ka arrestuar të moshuarin, ndërsa ka shpallur në kërkim dy djemtë e tij, 34 dhe 46 vjeç.
“Policia ka arrestuar shtetasin Sheref Lelaj, 74 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë. Shpallen në kërkim 2 djemtë e tij, shtetasit V.L., 34 vjeç dhe L.L., 46 vjeç. Pistat kryesore të hetimit dyshohen ‘Vetëvrasja’ ose ‘Vrasja nga pakujdesia’. Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës, ndërsa fillimisht policia deklaroi se dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës.
20-vjeçari të dielën ishte i ftuar në dasmë, por nuk shkoi
20-vjeçari Endri Kosteja nga fshati Dorëz i Librazhdit kishte dy vite që punonte si çoban në fshatin Mesaplik të Vlorës. Bëhet e ditur se familja e tij me katër fëmijë ishte shumë e varfër dhe për këtë arsye, Endri si fëmija i madh që ishte, është detyruar të shkojë në Vlorë për të gjetur një punë për të siguruar jetesën e familjes së tij. Të dielën që kaloi 20-vjeçari Kosteja ishte i ftuar në një dasmë tek kushëriri i parë i tij, por nuk ka shkuar. Të afërmit e tij bëjnë të ditur se, ai nuk ka qenë në dasmë në Dorëz, ndonëse familjarët e kishin pritur. Nuk dihen shkaqet se pse Endri nuk shkoi në dasmën e kushëririt të parë të tij, por nuk përjashtohet mundësia që viktima të ketë patur një konflikt me të tjerë persona.
Sipas atyre që e njihnin në fshatin Dorëz, Endri Kosteja ka qenë tip i urtë dhe ishte nga ata që shikonte punën e tij. Ai nuk ka qenë njeri problematik dhe nuk merrej me punë të pista. Gjatë dy viteve që ka punuar si bari në fshatin Mesaplik të Vlorës ai nuk ka patur asnjë problem apo konflikt. Ka dërguar rregullisht paratë e fituara me djersë në familjen e tij dhe vazhdonte punën normalisht. Ende nuk dihen shkaqet e ekzekutimit të 20-vjeçarit nga Librazhdi, por dyshohet se ai është mbajtur peng për disa ditë dhe është keqtrajtuar para se të ekzekutohej.
R.POLISI