Bashkia Kamëz nëpërmjet strukturave përgjegjëse ka nisur punën për rehabilitimin e ambienteve të brendshme si dhe atyre të jashtme për të pritur nxënësit si dhe fëmijët e kopshteve për vitin e ri shkollor. Kjo punë ka filluar qe me mbarimin e vitit shkollor në qershor të këtij viti, duke nxjerrë në terren grupet e punës për verifikimin e çdo defekti teknik, qoftë në rrjetin e furnizimit me ujë, pllakave të dyshemeve apo tualeteve, funksionimi i rrjetit të brendshëm elektrik, banka, dërrasa të zeza, pajisje të ndryshme të nevojshme për infrastrukturën.
Ky lloj impenjimi tregon seriozitetin që ka institucioni për të vendosur në parametra bashkëkohore ambientet e shkollave dhe kopshteve që ushtrojnë aktivitetin brenda territorit të bashkisë. Edhe pse tashmë dihet se qyteti i Kamzës ka ambientet shkollore më të mira në shkallë vendi, përsëri kujdesi për mirëmbajtje është koherent për të sistemuar çdo element të ambienteve shkollore si dhe kopshteve.
Drejtoria e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Konvikteve pranë Bashkisë Kamëz i ka inspektuar të gjitha shkollat dhe kopshtet dhe në bashkëpunim me drejtorinë e arsimit në Kamëz ka patur një frymë të mirë bashkëpunimi në të gjitha kontekstet për të bërë të mundur një kombinim të përbashkët për të zbatuar në mënyrë reciproke ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive. Kështu nxënësit dhe fëmijët e kopshteve që do të ulen në bankat e tyre do të kenë një ambient të përshtatshëm për të frekuentuar shkollat dhe kopshtet.
Kryebashkiaku Mziu në programin e tij ka specifikuar në mënyrë të veçantë punën e pandërprerë për të rritur shkallën e investimeve, sidomos në shkolla dhe kopshte, duke bërë të mundur që fëmijët të frekuentojnë shkolla me sistem kohor paradite dhe pasdite duke eliminuar përfundimisht turnet e treta që disa vite më parë pothuajse ishte model në të gjitha shkollat e Kamzës.