Psikologjia që fshihet pas votimeve

Zaria Gorvett

Nëse ndodheni në një tren, zë vendin tënd. Pasagjeri përballë teshtin me të madhe dhe më pas kur dilni nga treni sa vini këmbën në tokë shkelni një çamcakëz dhe ju shpifet, si do të reagoni? Mos harroni se reagimi juaj, pavarësisht nga sa e besoni apo jo, mund të tregojë prirjet tuaja politike.
Nuk është e vetmja gjë që mund të ndikojë në politikën tuaj pa dijeninë tuaj. Sa herë që afrohen zgjedhjet, votuesve u duhet të shpenzojnë muaj duke u “ndeshur” me politika, politikanë dhe ideologji. Kur vjen dita e votimeve, është koha për të bërë disa llogari racionale në kutinë e votimit.
Ne mund të mos e kemi aq në kontroll votën ashtu siç na pëlqen të mendojmë, sipas shumë psikologëve. Edukimi, shëndetësia dhe ekonomia, të gjitha kanë rëndësi, por zgjedhjet e votuesve gjithashtu ndikohen nga faktorë të tjerë, si për shembull sa shpejt inatosemi apo frikësohemi, madje edhe nga mënyra se si reagojmë ndaj klimës dhe rezultateve të ndeshjeve sportive.

Influencim i fshehtë
Dihet mirë, se vendimet tona të ndërgjegjshme ndikohen nga proceset e pandërgjegjshme të mendimit, emocioneve apo paragjykimeve. Jon Krosnick, profesor i shkencave politike në Stanfrod University, ia ka kushtuar karrierën e tij këtij fenomeni. “Ajo çfarë ne dimë tani nga 50 vite psikologji është se ne mund ta ndajmë trurin në dy pjesë”, shpjegon ai. “Në fakt, vendimmarrja është e pandërgjegjshme”.
Krosnick argumenton se gjatë debateve televizive, edhe pse votuesit dëgjojnë kandidatët, ka faktorë të tjerë që mund të ndikojnë po aq ose më shumë në vendimet e votuesve. Për shembull, ai dhe kolegët e tij arritën në përfundimin se në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2008, shumë votues më shumë u ndikuan nga përkatësia etnike e kandidatëve – Barack Obama dhe John McCain. Njerëzit me paragjykime raciale për shembull, kishin pak gjasa të votonin për Obamën.
Yoel Inbar, një profesor psikologjie në Universitetin e Torontos, studion një tjetër mënyrë të fshehur se si ne mund të ndikohemi – gjërat që ngacmojnë ndjenjat e neverisë. Inbar i vendosi pjesëmarrësit e testimit në një “peshore neverie”, duke i kërkuar atyre që të jepnin vlerësimet për situata të ndryshme të tipit që “një shok i juaji i ndërron mbathjet një herë në javë”. Subjekte e situata të tilla u pyetën më pas në ideologjinë politike të tyre. Ai zbuloi se atyre që iu shpifeshin më shumë këto situata kishin tendencën të ishin politikisht konservatorë. Studimet tregojnë se njerëzit që neveriten shpejt janë politikisht konservatorë.
Inbar beson se lidhjet mes politikës dhe moralit mund të shpjegohen në sajë të biologjisë parahistorike. Ndërsa njerëzit filluan të shpenzonin më shumë kohë në grupet e mëdha sociale, ata zhvilluan një sërë sjelljesh që do të zvogëlonin rrezikun e kapjes së sëmundjeve, gjë që psikologët e quajnë “sistemi imunitar i sjelljes”.
Hulumtime të tjera tregojnë se mënyra se si ndiheni gjatë ditës mund të ndikojë gjithashtu. Një studim zbuloi se t’i bësh njerëzit të mendojnë për sëmundjet mund t’i inkurajojë ata të mendojnë negativisht rreth diferencimeve racore. Në mënyrë të ngjashme, një studim i bërë në SHBA në vitin 2014 arriti në përfundimin se njerëzit që nuk ndjeheshin mirë kishin më shumë gjasa të favorizonin kandidatët e pashëm, më shumë se sa ata me më pak fizik tërheqës.
Koha e keqe mund të ndikojë në sjelljen tënde gjatë votimit.
“Qëndrimet që vijnë nga sistemi imunitar i sjelljes janë gjëra që ne priremi t’i mendojmë në mënyrë konservative”, thotë Inbar. “Ata përpiqen të shmangin grupe me të cilët nuk janë familjarizuar, i përmbahen traditave dhe janë gjithashtu striktë përsa i përket marrëdhënieve seksuale. Përdorin zakonisht shprehje të tilla si: Mos e bëj këtë, qëndro larg asaj, kjo është e rrezikshme për ty”.
Në një tjetër eksperiment, Inbar dhe kolegët e tij zbuluan se duke i shtyrë njerëzit të ndjejnë neveri – për shembull duke përdorur aromë të keqe në një dhomë – i bënte ata që t’i shmangeshin përkohësisht grupeve minoritare, si meshkujt homoseksualë. Ky lloj truku që përdoret gjatë analizave politike në media apo gjatë fushatave mund të ketë impakt më të madh tek disa njerëz nga sa duket në fillim.

Ndikimi i frikës
Një studim mbi impaktin e ndjeshmërisë së frikës në ideologjitë politike del po në të njëjtat përfundime. Një grup prej 46 njerëzish nga Nebraska u pyetën rreth pikëpamjeve të tyre në lidhje me disa çështje politike, që nga lufta e Irakut. Ata me opinione të forta u ftuan të merrnin pjesë në pjesën e dytë të eksperimentit.
Në provën e dytë vullnetarët iu nënshtruan një seri imazhesh kërcënuese, të tillë si ajo e një njeriu të frikësuar me një merimangë në fytyrën e tij. Studiuesit zbuluan se njerëzit që tronditeshin më lehtë ishin të prirur të kishin pikëpamje të djathta, një rezultat që i përshtatet modelit të konservatorëve, duke qenë se janë më të ndjeshëm në aspektet negative të mjedisit.
Politika retorike që thekson rrezikun e terrorizmit, paqëndrueshmërinë ekonomike etj., luan rol të madh në përzgjedhjen e votës. Pamja e jashtme u bë një faktor në debatet mes Nixon-Kennedy në vitin 1960. Studimet tregojnë se votuesit kanë një simpati të fshehur drejt kandidatëve tërheqës.

“Paragjykimi i negativitetit”
Të tjera ndikime të subkoshiencës shfrytëzohen nga fushatat politike. Një ndër këto efekte është e ashtuquajtura “paragjykimi i negativitetit”, një tendencë e provuar shkencërisht e njerëzve për të mbajtur mend informacionin negativ, gjë që lejon emocionet negative të dominojnë në vendimmarrje.
Kërkimet e Krosnick thonë se kur politikanët theksojnë cilësitë negative të oponentit të tyre, rrisin pjesëmarrjen e mbështetësve. Në fillim të viteve 1990 ai studioi mënyrën se si ndjenjat e njerëzve kundrejt politikanëve ndikonin fuqimisht edhe në rezulatet e votimit. Ashtu siç mund të pritet, ai zbuloi se kur njerëzit i pëlqejnë të dy kandidatët në garë, ata nuk kanë asnjë interes për të shkuar pranë kutive të votimit.
Nga ana tjetër, edhe në rastet kur dy kandidatët pëlqehen jo në nivel të njëjtë, votuesit janë përsëri indiferentë kundrejt rezultatit të votimit. Mospëlqimi është ai që i shtyn individët të votojnë dhe i bën të ndihen të detyruar të marrin pjesë në zgjedhje. “Nëse nuk ju pëlqen të paktën njëri prej kandidatëve në garë, atëherë ndihesh plotësisht i motivuar për të marrë pjesë në votim. Pra, me fjalë të tjera, është mospëlqimi i një kandidati ai që influencon vërtet rezultatin e votimeve”, thotë Krosnick.
Vendimet e marra në bazë të emocioneve negative mund të manifestohen edhe në mënyra të tjera. Një numër i madh provash sugjerojnë se zgjedhësit i fajësojnë dhe dënojnë në mënyrë të pandërgjegjshme politikanët kur gjërat nuk ecin ashtu siç duan ata. Ky fenomen madje shfaqet edhe kur bëhet fjalë për evente që nuk kanë asnjë lidhje me politikën.
Këto zakone kaq shumë të ndryshueshme u manifestuan më qartë në garën presidenciale ndërmjet Al Gore dhe George W. Bush në vitin 2000. Zgjedhjet u pasuan me një sërë eventesh pothuajse katastrofike të thatësirës dhe përmbytjeve, të cilat ekspertët e shkencave politike Larry Bartels dhe Christopher Achen i ironizuan më së miri duke pyetur: “A do të fajësojë populli demokratët për këtë fat të keq?”
Një analizë e sjelljeve gjatë votimit dhe e modeleve të ndryshimit të klimës në 54 shtete amerikane shfaqi se mbështetja ndaj demokratëve kishte rënë me 3,6 për qind pas këtyre eventeve natyrore. Ky rezultat, sado i çuditshëm, shfaqi më së miri mënyrën se si individët shtyhen instinktivisht të fajësojnë politikanët për të gjitha fatkeqësitë e tyre. Siç e përshkruan rezultatin autorët e analizës: “2,8 milionë njerëz kanë votuar kundër kandidatit demokrat Al Gore në vitin 2000 për shkak se shteti i tyre ishte tepër i thatë ose tepër i lagur”.
Këto lloj ndikime të çuditshme nuk lidhen vetëm me eventet klimaterike pasi i njëjti fenomen shfaqet edhe në rezultatët e ndeshjeve sportive. Një studim i rezultateve zgjedhore të mbi 44 viteve zbuloi se ndeshjet lokale sportive që zhvillohen deri në 10 ditë përpara votimeve kanë një ndikim po aq të madh. Duket se rezultatet e ndeshjeve përpara votimeve kanë tendencën të favorizojnë politikanët që ndodhen në detyrë, duke i rritur atyre përqindjen e mbështetjes popullore. Por në rast se modelet e sjelljes së votuesve mund të ndikohen nga paragjykime kaq të pandërgjegjshme, a redukton kjo vlefshmërinë e zgjedhjeve? “Kjo është një pyetje interesante”, thotë Inbar. “Nëse mund të shpjegoj përse ju pëlqen akullorja, a do të bindeshit se bëni gabim që e pëlqeni akulloren? Në nivel individual, nuk besoj”. Megjithatë, nuk është keq të mësoni dhe të ndërgjegjësoheni për faktorët që ndikojnë në preferencat tuaja politike dhe t’i mbani mend herën tjetër që i afroheni kutisë së votimit.

Artikulli paraprakBashkia Kamëz merr masat e duhura për të rehabilituar ambientet shkollore
Artikulli tjetërRusia dhe Ukraina në prag të rifillimit të luftës