Familja Fasa me 6 anëtarë jeton prej më shumë se 4 dekada në fshatin Shkallë në Manzë të Durrësit. Prej 26 nëntorit familja e ka ndarë jetesën mes një çadre të vendosur në oborrin e shtëpisë dhe një dhome të vogël në të cilin jeton djali i familjes në gjendje të rëndë shëndetësore.
Rexhep Fasa tregon i përlotur goditjet e forta që mori këto dy muaj të fundit të vitit, fillimisht kur mësoi për aksidentimin e djalit dhe më pas me lëkundjet e forta të tërmetit një muaj më parë.
“Kam pas dy tërmete, të parin e kam pasur për djalin, të dytin për shtëpinë”, shprehet ai.
Shtëpia është shpallur e pabanueshme.
Muret e dhomave janë çara dhe ekspertët kanë vendosur shiritin e kuq duke kërkuar nga familja të mos hyj më në banesë. Rexhepi jeton në çadrën e vendosur në oborrin e shtëpisë. Kur një muaj ka kaluar nga ato lëkundje të nëntorit, duket se shpresat e kanë lënë se diçka do të ndryshojë në goditën ku investoi gjatë jetës gjithçka që pati.
“E pabanuesme shtëpia, na ka thënë se do e rregullojë shteti”, thotë ai.
Kur kujton aksidentin e djalit, falenderon zotin që e la në jetë.
Dy bashkëshortët e familjes Fasa kërkojnë vetëm rindërtimin e shtëpisë, duke kujtuar se do të shesin gjithçka për të kuruar djalin e tyre.
Rexhepi dhe Veria do të kalojnë vitin e ri në këtë çadër të vendosur nga ushtria me urimin e vetëm se 2020 do t’i gjejë në një shtëpi të re dhe në kushte më dinjitoze për ditët e mbetura të jetës së tyre./abcnews.al