“Budallallepsja progresive e njerëzve përfaqëson një problem të vërtetë”

Një intervistë me Michel Onfray

Në librin e tij “Teoria e diktaturës”, Michel Onfray e prezanton veprën e George Orwell si një parafigurim të madh të botës bashkëkohore. Filozofi, që nuk i frikësohet polemikave, përshkruan formën e re të diktaturës që po përjetojmë sot…

Sipas jush, George Orwell qe një mendimtar politik i nivelit të lartë. Qe një njeri që u “mori masat” atyre që më pas kanë qenë totalitarizmat e shekullit të Njëzet dhe ju parapriu kohëve tona. Në çfarë mënyre epoka që po jetojmë mban shenjën e totalitarizmit? A nuk ju duket ekzagjerim? Vërtet kemi hyrë në një formë të re diktature?

Jo, nuk ka asnjë ekzagjerim, pasi nuk kam thënë se jemi kthyer në nazizëm apo në stalinizëm. Ajo që më intereson nuk është mënyra sesi funksiononte totalitarizmi i dikurshëm, por sesi funksionon totalitarizmi sot, në epokën e internetit, e të dhënave dhe të celularëve. Ky totalitarizmi i sotëm nuk mban veshur as helmeta, as çizme. Ne jetojmë në një shoqëri të kontrollit: fakti që mund të spiunohemi në mënyrë konstante, fakti që mbledhin në mënyrë konstante të dhëna lidhur me ne, etj.. Kjo shoqëri e kontrollit ka arritur një pikë inkandeshence që nuk ishte arritur kurrë më parë.

Domethënë për ju teknologjitë e reja nuk do të ma sjellin asnjë avantazh?

Jetojmë në një lloj servitudi vullnetar kundrejt teknologjive të reja, por kjo nganjëherë është jashtëzakonisht perverse. Për shembull, për të garantuar privatësinë, na kërkojnë që të bëjmë gjëra të caktuara… Ama, duke i pranuar, i kalohen informacione të caktuara GAFA-s (Google, Amazon, Facebook, Apple). Është e qartë se mund ta refuzojmë, por, natyrisht, duke e refuzuar nuk mund të udhëtojmë më me tren, avion apo të bëjmë atë që donim të bënim.

Por a është kjo ajo që i kishte paraprirë Orwell?

Orwell mendon si në roman. Përdor fiksionin. Por fantashkenca e tij ka reshtur së qëni imagjinare dhe është bërë shkencë. Ai ekran televiziv që kontrollon të gjithë në mënyrë permanente sot ekziston. Ne ndodhemi tashmë brenda këtij ekrani. Qe Orwell ai që shpiku gjëra të caktuara lidhur me kontrollin e njerëzve dhe mbi padukshmërinë e pushteteve dhe është pikërisht kjo ajo që dalloj totalitarizmin e vjetër nga totalitarizmi i ri. Atëhere pushteti kishte një fytyrë që mund të njihej, por sot kush është që vendos? Kush janë dhe ku janë njerëzit që e mundësojnë gjithë këtë? Sipas meje, këta njerëz, në Bregun Perëndimor amerikan, kanë një projekt dominimi të botës dhe jo një projekt transhumanist.

 

Ky kapitalizën pa rregulla është përgjegjësi i kësaj situate?

Kapitalizmi nuk do të zhduket: është i bashkënatyruar me njeriun. Sot nuk ka më armiq përpara vetes. Me rënien e bllokut sovjetik, kapitalizmi ka ndjerë se mund të triumfonte. Dikush, si puna e Francis Fukuyama, deri theksoi se ishte fundi i historisë, fitorja e plotë e neoliberizmit. Ama bota nuk përbëhet vetëm nga kapitalistë dhe komunistë. Ka edhe pushtete shpirtërore, si islami. E kemi parë më 11 shtator 2001.

Sipas jush, demokracia përfaqësuese është e vdekur?

Po. Populli dhe përfaqësuesit e tij nuk përkojnë aspak. Nëpër asamble dhe nëpër parlamente ka një mbipërfaqësim të profesioneve librale, të tillë si avokatë, pedagogë, etj. dhe ka pak pastorë, pak taksixhinj ose pak studentë. Kjo do të thotë se ekziston një pjesë e shoqërisë që thjesht nuk është e përfaqësuar. Pastaj, për të shpresuar që të zgjidhesh, është e nevojshme të kesh para, të hysh në një aparat, të marrësh formën e një partie. Kjo demokraci përfaqësuese e ka kaluar kohën e saj. Referendumi lidhur me Traktatin e Maastricht ka qenë një mishërim i përkryer i limiteve të saj: të zgjedhurit nga populli që votojnë kundër popullit.

Si e përkufizoni populizmin të cilit i frikësohemi kaq shumë në ditët e sotme, besoni që populli mund ta rilançojë demokracinë?

Nuk e kam problem të quhem populist. Megjithatë, ka n jë diferencë midis populistëve dhe “populicidëve” dhe problemi qëndron pikërisht këtu dhe jo, siç duan të na bëjnë të besojmë, midis populistëve dhe demokratëve. Macron, Chirac dhe Mitterrand janë parasëgjithash “populicidë”, janë njerëz që nuk duan të qeverisin për popullin. Referendimi për iniciativën e qytetarëve është një ide shumë interesante. Ideja që të ketë parlamentarë të zgjedhur që të jenë të revokueshëm shtë një gjë e mirë. Natyrisht, në kontekstin aktual, problemi i vërtetë është budallallepsja progresive e popullit. Dhe këtu do të them diçka që mund t’ju çudisë nëqoftëse vihet në raport me çfarë kam thënë më parë: avantazhi i madh i internetit është se njerëzit mund të kërkojnë informacione alternative. Është fantastike, një popull që vendos të marrë mbi vete përgjegjësitë e tij. Fakti që një projektligj mund të mendohet e të kritikohet nga populli është një ide e shkëlqyer.

Çfarë mendoni për lëvizjet e mosbindjes civile që po fitojnë terren?

Kur Henry David Thoreau foli për mosbindje civile, kishte paraszsh luftën kundër Meksikës. Kur Martin Luther King e përdori, qe për të luftuar racizmin. E njëjta gjë për Mahatma Ghandi, kur donte pavarësinë e Indisë. Sot të gjithë mendojnë se mosbindja civile funksionon në çdo rrethanë. Pyetja që duhet të bëjnë të gjitha këto lëvizje është kjo: a kemi një kauzë të madhe për të mbrojtur? Në fund kuptohet se gjërat i bëjnë vetëm për vetveten. Për shembull, një mësues nuk mund të refuzojë që të japë mësim apo të mbajë provime vetëm pse nuk është dakord me një ligj të Ministrisë së Arsimit Publik… Refuzimi për të bërë punën tënde nuk e transformon askënd në një hero të Rezistencës. Unë kam një konceptim të lartë të rezistencës dhe mosbindja civile duhet të rezervohet vetëm për kauzat e mëdha të përbashkëta.

Po lidhur me emergjencën klimaterike?

Nuk është si duket, kauza e madhe e përbashkët do të ishte triumfi i jelekverdhëve. Emergjenca klimaterike është dordoleci flas i kapitalizmit. Për shembull, automobilat elektrikë që na paraqiten se ekologjikë nuk janë të tillë. Duan të na riparaqesin një kapitalizëm të gjelbër, të ashtuquajtur “eko të përgjegjshëm”. Sot, kur duam të blejmë një produkt, na thonë se është “biologjik”. Ekologjia e vërtetë, tek e cila unë aspiroj, është e marrë peng nga ajo ekologji urbane që është në duart e publicitetit. Po luajmë me ngrohjen globale, gjë e pamohueshme, pa e vrarë mendjen për shkaqet vërtet shkencore të saj.

Edhe Greta Thunberg, të cilës i keni kushtuar fjalë shumë polemizuese, sipas jush, është një personazh i këtij kapitalizmi të gjelbër?

Kjo vajzë është në duart e kapitalizmit të gjelbër që e përdor ekologjinë si instrument shitjeje. Në moshën e saj, sa do inteligjente, nuk arrij të mendoj se çfarë argumentesh të nevojshëm mund të disponojë sa për t’i njohur plotësisht të gjitha çështjet shkencore në themel të çështjes ekologjike.

Si i analizoni lëvizjet e ndryshme sociale në katër anët e planetit? Hiq diferencat, ka diçka që i bashkon?

Në ditët e sotme nuk është më e mundur të nxirren forcat e armatosura nëpër rrugë, pasi, edhe një herë akoma, falë fluksit të informacioneve, e pikasin menjëherë të gjithë. Por kam frikë se këto lëvizje janë vetëm një lloj çfryrjeje e madh demokratike. Një diktator ikën dhe një tjetër vjen … Dhe mendojmë se kjo ndryshon diçka. Sigurisht jo duke larguar Macron dhe duke vënë në vend të tij Muriel Penicaud që mund të realizohet një revolucion i madh demokratik. Të gjitha këto lëvizje janë shenja se popujve u ka ardhur në grykë.

Nuk mund të durojnë më të shohin se ka shumë kukulla shpërfillëse dhe njerëz që shkaktojnë luftëra vetëm për t’u pasuruar … Falë internetit, sot njerëzit janë të gatshëm që të dalin në rrugë shumë shpejt. Këto kryengritje popullore më gëzojnë dhe, njëkohësisht, kamë frikë se do të instrumentalizohennga demagogët që janë gjithmonë aty, në pritë. Jelekverdhët janë shfrytëzuar nga Mélenchon, nga dhuna e provokatorëve, nga jelekzinjtë, etj. Në një farë kuptimi, ky është mësimi i historisë: populli i vuan gjithmonë këto shpronësime.

Ju nuk hezitoni kurrë të jeni qëllimisht polemizues. Është ky roli i filozofit? Intelektuali i sotëm duhet jetë domosdoshmërisht i impenjuar?

Po, ka nevojë për fjaln e një intelektuali në një botë ku kushdo bën intelektualin. Sot të gjithë japin opinionin e tyre dhe na thonë sesi do të duhet të funksionojë bota. Nuk shoh pse e habit dikë fakti që unë ndërhyj lidhur me të gjitha argumentet. Pse duhet të jem më pak i legjitimuar për të folur se një futbollist?

Ju shkruani: “Gjuha është e sulmuar”. Çfarë doni të thoni me këtë?

Im atë është rritur dhe ka studiuar me shkollën republikane. Dinte të shkruante pa gabime, nuk bënte gabime logjike dhe kishte mësuar disa klasikë të mëdhenj të letërsisë. Shkatërrimi i shkollës ka çuar në shkatërrimin e inteligjencës. Bëhet fjalë gjithnjë e më pak për të edukuar në qytetar që mendon dhe gjithnjë e më shumë të krijojë një konsumator që paguan. Mësojmë gjithnjë e më pak gjëra. Dikush thotë se nuk duhet të bëjmë hartime, të studiojmë gramatikë, etj. Por truri është muskul: nëqoftëse nuk e mbajmë në aktivitet, nis e rrudhet ….

Në fund të librit tuaj lexohet: “Nuk jam vërtet i sigurtë  se dua të jem progresist”. Sipas jush, si mundet progresizmi të mishërojë një formë nihilizmi?

Jam kundër këtij lloj progresizmi që na paraqitet sot. Progresi nuk është një e mirë në vetvete. Mund të ketë një progres të së keqes apo një progres të vdekjes. Do të thoja se një grua e varfër që mund të huazojë një uterus për të pasur fëmijë, sipas mendimit tim, nuk përfaqëson asnjë formë progresi. Në këtë kuptim, nuk jam progresist. Unë nuk i qëndroj kësaj loje që konsiston në vënien sistematikisht e populistëve – të këqinj përballë progresistëve – të mirë.

 

Domethënë socialisti libertar dhe anarkisti që jeni ju mund të jenë edhe konservatorë?

Sigurisht. Pensioni në moshën 60 vjeçare, shumë mirë. Duhet mbajtur. Nga ku arrin kjo ide e bukur se, përderisa jetohet më gjatë, duhet të punohet më gjatë? Përkundrazi, duhet reduktuar lodhja e njerëzve dhe është pozitive që punëtorët të pensionohen më shpejt nga puna. Të qëndruarit komplet lakuriq dhe bërë fëmijë ka funksionuar për shekuj me radhë. Pse t’u paraprish problemeve dhe të thuash se duhet ndryshuar gjithçka? Duhet të ruajmë ato gjëra që kanë funksionuar gjithmonë. Ndryshimi me çdo kusht nuk ka kuptim. Nëqoftëse më jepet prova se ndryshimi është më i mirë, jam i gatshëm ta pranoj. Përndryshe… Sot kemi përshtypjen se qytetërimi jonë po ecën nëpër tym.

(nga Lecho)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNë radhë të gjata për 3 mijë lekë, pensionistët të zhgënjyer: Po na japin gjysmë gjeli…
Artikulli tjetërEfektet e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj Federatës Ruse