Kryebashkiaku i Lushnjes kthehet në punë, asnjë fjalë për ngjarjen e rëndë në zyrë, akuzon median…

Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe u kthye në punë një javë pas atentatit. Pavarësisht se u mundua të shfaqej i qetë, Tushe nuk e komentoi për asnjë moment marrëdhënien e tij me ish-vartësin Gëzim Saraçi, që i hodhi granatën.

Ai nuk komentoi as arsyet që e shtynë këtë të fundit të ndërmerrte atë veprim.

Tushe u shpreh se më shumë se plagët fizike, e kanë lënduar ato që janë shkruajtur në media lidhur me këtë ngjarje të rëndë, e megjithatë tha se, do të linte drejtësinë që të fliste në emrin e tij.

“Po patjetër që ndodhem në punë sot, kalova plagë të lehta, dëmtime të lehta, plagë më të rënda janë ato që shkruhen dhe thuhen në media.

Drejtësia do të vendosë të thotë fjalën e saj për atë që ka ndodhur. Unë u falenderoj për telefonatën, por do të jetë drejtësia që do të vendosë lidhur me të gjithë këtë. Nuk kam pasur kontakte me ish-shoferin tim prej shumë kohësh.

Ju lutem, siç iu thashë dhe pak më parë do të jetë drejtësia ajo që do të flasë për të gjitha, ju falenderoj dhe ju uroj një vit të mbarë”, mbylli komunikimin Tushe, pa një sqarim publik.

Atentati ndaj Tushes ndodhi të martën e 31 dhjetorit, në zyrën e tij, ku mbeti e plagosur më rëndë dhe sekretarja e kryebashkiakut Erisa Qalliu.

Pas ngjarjes ka pasur akuza, veçanërisht nga ana e opozitës, se Saraçi dhe Tushe kanë qenë të implikuar në pazare droge, dhe kjo ka bërë që mes tyre konflikti të degjenerojë në një veprim të tillë.

Artikulli paraprakEkzekutohet një biznesmen në Tropojë
Artikulli tjetërNuk ndalet Veliaj, pas taksës për banesën rrit taksën e…