Fran Lleshi me gruan e paralizuar jetojnë në një barake, në kushte të mjerueshme që prej termetit të 21 shtatorit.
Gazetari Juxhin Mustafaraj dhe grupi i xhirimit të Abc News udhëtoi sot drejt Thumanës për të parë nga afër gjendjen e banorëve që kanë mbetur jashtë në ditët e ftohta të dimrit.
Në familjen e Fran Lleshit, në Thumanë mësojmë se burrë e grua kanë mbetur jashtë që prej termetit të parë, atij të 21 shtatorit. Që prej asaj kohe Fran Lleshi dhe gruaja e tij e paralizuar qendrojnë në barake, në kushte mesjetare.
“Shtepia u dëmtua në shtator, pastaj me këtë termetin e dytë (26 nentor) u shemb komplet…Akoma s’na kanë thënë asgjë…As bonus qiraje asnjë send në botë. Ne s’kemi ku shkojmë, vetëm me u mbyt në ujë…më keq nuk ka ku shkon. Gruan e kam të paralizuar…”, shprehet i brengosur Fran LLeshi.
Ai ka migruar nga zona e thellë e Fanit në Mirditë, drejt Thumanës për një jete më të mirë, por shtëpia që ndërtoi me mundim u shemb. Ata apelojnë që shteti ti ndihmojë për të rindërtuar banesën ku të fusin kokën./abcnews.al
Banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë ndodhen në një situatë tejet e vështirë. Në çadër me dy fëmijë të mitur Xhume Jangozi tregon se kushtet ku ata jetojnë janë mjaft të vështira, të ftohtët depërton brenda, ndërsa shton se ata presin më shumë nga shteti, që i ka harruar që prej 26 Nëntorit.
“Më keq s’ka, ftohtë, kena mbërdhi, me kalamajtë, kam dy djem me nuse, dhe me fëmijë. Era e fuqishme sa më s’ka, dolëm e rregullum njëçikë me gura dhe me beton. Kemi qenë në çadër që prej 27 Nëntorit, shpresa jonë e fundit është shteti, që të vëjë zemrën në dorë, shteti ishalla mendon dhe për na, se dhe na duhet të jetojmë”, shprehet Jangozi.
Pas tërmetit që goditi vendin në 26 nëntor, rreth 10 mijë qytetarë jetojnë ende në çadra, të cilat janë të papërshtatshme për të përballuar këto temperatura disa gradë nën zero që po përballon vendi në dy ditët e fundit.
Ende nuk ka asnjë plan për nxjerrjen e tyre nga çadrat, ndërsa gjithë sa kërkojnë është një strehë e sigurtë dhe e ngrohtë, të cilën mos t’ua rrezikojnë më era dhe tërmetet.